Bajrami dhe Nuhiu: F.C. Shkupi, klubi me kushte fantastike

Shpërndaje:

Bajrami dhe Nuhiu: F.C. Shkupi, klubi me kushte fantastikeJanë rikthyer pas shumë vitesh te skuadra ku kanë bërë hapat e parë në lojën e futbollit dhe ku janë afirmuar si lojtarë.

Ata madje e kishin menduar se një ditë do të rikthehen në “folenë” e tyre të vjetër, pasi ka qenë edhe ëndërr e tyre, ndërsa janë shumë të lumtur që klubin e kanë gjetur me një organizim të shkëlqyer në të gjitha drejtimet.

Ardian Nuhiu dhe Muharrem Bajrami gjatë një bisede për “Lajm” theksojnë se ndjenja që kanë përjetuar këtyre ditëve në klubin e tyre të zemrës është e papërshkrueshme.

“Pas plotë tetë vitesh po kthehem te FC Shkupi. Ndjenja është e veçantë kur e sheh klubin të organizuar në të gjitha aspektet. Respekt për kryesinë e FC Shkupi që ka arritur të plotësoj të gjitha kushtet. Vërtetë nuk na mungon asgjë. Thjeshtë gjithçka më duket perfekte, nuk më duket si klub i ligës së dytë, por si klub i ligës së parë. Një falënderim për tifozët të cilët që në ditën e parë janë në numër të madh në stërvitje”, ka thënë mesfushori Muharem Bajrami.

“Tani pas 21 vjetësh kohë po rikthehem te skuadra ku kam nisur karrierën si 14-vjeçar dhe ku u afirmova si futbollistë. Ndjenja qenka shumë e madhe, thjeshtë jam i emocionuar edhe nga pritja që më është bërë. Unë e kam ëndërruar rikthimin tim te FC Shkupi. Më vjen mirë që klubin e gjeta të organizuar me kushte fantastike, pa modesti e them se është nga më të organizuarit në Maqedoni në të dyja ligat”, deklaroi sulmuesi Nuhiu.

Përvoja e Nuhiut dhe Bajramit do të ndihmoj ekipin në arritjen e objektivit-mbetja në kategorinë e dytë të futbollit në Maqedoni.

“Natyrisht se do të japim maksimumin për të shënuar atë rezultat të cilin edhe e presin kryesia edhe tifozët e skuadrës. Do të jetë pak vështirë, duke pasur parasysh se sa ekipe do të bien nga liga, mirëpo ne do të bëjmë çmos që të arrijmë synimet tona. Do t’i ndihmojmë trajnerin Zekerija Ramadani, të cilin do ta respektojnë maksimalisht në punën e tij. Në fund dua të falënderoj Shvercerat që më kanë mbështetur në çdo moment dhe në secilin klub ku kam luajtur, prandaj do të mundohem t’ua kthej në të njëjtën monedhë”, shtoi Nuhiu.

“Tifozëve ju premtojmë se do të luftojmë me mish e shpirt që të arrijmë qëllimin tonë. Shpresoj se me përgatitje cilësore do të sigurojmë mbetjen në ligë. Do të luajmë ndeshje për ndeshje, ndërsa nëse na jepet rasti do të luftojmë edhe për dy vendet e para, ndonëse do të jetë vështirë, pasi jemi shumë larg dy vendeve të para. Ne duhet të jemi të disiplinuar dhe me përpikëri t’i zbatojmë detyrat e stafit teknik që do të drejtohet nga trajneri Ramadani. Vetëm kështu mund të ecim përpara”, theksoi Bajrami.

Të hënën, FC Shkupi ka nisur përgatitjet dimërore i super përforcuar, ndërsa në fillim të muajit shkurt skuadra do të transferohet në Banjat e Negorit (Gjvegjeli) për të zhvilluar fazën e dytë stërvitore. Në renditjen tabelore, ata gjenden në vendin e nëntë me 22 pikë, 12 më pak se lideri Sileksi i Kratovës. (reshat ibrahimi)

Artikuj

Të ngjashme

2021/22

KAMPION TË MAQEDONISË SË VERIUT

1998/99

KAMPION TË MAQEDONISË

1999/00

KAMPION TË MAQEDONISË

2000/01

KAMPION TË MAQEDONISË

1995/96

FITUES I KUPËS SË MAQEDONISË

1999/00

FITUES I KUPËS SË MAQEDONISË

2003/04

FITUES I KUPËS SË MAQEDONISË

SPONZORËT