Bajrami: Kërkojmë fitore që të ngrihemi më lartë në tabelë

Skuadra e FC Shkupi sot ka zhvilluar stërvitjen e fundit para ndeshjes së nesërme kundër KF Renova, duel ky që vë përballë dy ekipet shqiptare.

Shkupi kthehet në stadiumin e Çairit pas një pike të marrë në Tetovë, ndërkohë edhe Renova ka nxjerrë një pikë të madhe javën e kaluar në Shkup, duke luajtur barazim me Rabotniçkin. Kjo përballje ka vlerë të madhe për dy ekipet, për Shkupin tri pikë do të thonë të fillojë largimi nga zona e poshtme, ndërsa Renova kërkon të mbetet në hap me ekipet që po luftojnë për një pozitë për të siguruar dalje në Evropë.

Atmosfera në ekipin e Shkupit është në nivel të mrekullueshëm dhe të gjithë janë të mendimit se ekipi ka arritur në formë të mirë për të marrë dhe fitoren e parë të sezonit pranveror. Pikërisht për këtë ndeshje ka folur mesfushori Muharem Bajrami, i cili e njeh mirë ekipin e Renovës, pasi më parë ka mbajtur fanellën e kësaj skuadre.

“Të dielën na pret një ndeshje shumë e rëndësishme për faktin se luajmë kundër një skuadre që kemi respekt maksimal, siç është Renova, skuadër kjo e cila në 3-4 vitet e fundit nuk ka pësuar shumë ndryshime dhe e njohin mirë njëri-tjetrin. Por duhet pasur parasysh se ne jemi në një situatë ku me çdo kusht na duhen tri pikët, ndërsa për ti fituar ato duhet zbatuar të gjitha detyrat që do të jepen nga trajneri ynë Ardian Nuhiu. Ky ekip dhe këta lojtar nuk e meritojnë këtë pozitë ku jemi momentalisht, sepse kualiteti dhe cilësia që posedojmë ka treguar se vetëm një finalizim na mungon, andaj shpresojmë që me një fitore të ngrihemi më lartë në tabelë, me çka do të gëzonim “Shvercerat” dhe publikun tonë që nuk mungon në asnjë ndeshje për të na dhënë mbështetjen”.

Te skuadra e Shkupit të gjithë futbollistët do të jenë nën urdhrat e trajnerit Ardian Nuhiu, mungesë të vetme janë Filip Janevski dhe Emmanuel Mbella, ndërsa tani më është gjithçka gati me dokumentacionin e serbo-gjermanit Nikolla Iliç, i cili ka të drejtë loje.

Ndeshja Shkupi – Renova luhet të dielën në stadiumin e Çairit me fillim në ora 14:00, e që do ta referojë arbitri Riste Sejmenov.

Share Now

Related Post

Përgjigjuni komentit