Shkupi gati për fillim të mbarë

Shkupi gati për fillim të mbarëDuke mos shtuar presion ndaj stafit teknik dhe ekipit, ky ka qenë dhe qëllimi i kryesisë së ekipit tonë, që ka bërë blerjet më të mëdha në afatin kalimtar të janarit, ndërsa edhe ekipit i kishte mundësuar që përgatitjet ti bëjë më mirë edhe se shumë ekipe të Ligës së Parë.

Pas plotë 75 ditëve pauze me ndeshjet e javës së xhiro së 16-të rikthehen garat e Ligës së dytë të dielën, e ku pjesë e kësaj lige është edhe ekipi ynë i zemrës, FC Shkupi, që sezonin pranveror e fillon me ambicie për të kapur pozitë sa më të mirë, që së paku do të sigurojë ekzistencën, ndërsa në rast të mirë nëse na jepet mundësia, do të sulmojmë edhe kreun e tabelës.

Duke mos shtuar presion ndaj stafit teknik dhe ekipit, ky ka qenë dhe qëllimi i kryesisë së ekipit tonë, që ka bërë blerjet më të mëdha në afatin kalimtar të janarit, ndërsa edhe ekipit i kishte mundësuar që përgatitjet ti bëjë më mirë edhe se shumë ekipe të Ligës së Parë.

Shikuar realisht, skuadra ynë është me kushtet që do ia kishte zili secila ekip nga Liga e parë, andaj edhe pa shtuar presion e fillon sezonin pranverorë.

Besir Demiri, i cili gjatë sezonit vjeshtor është treguar si një nga futbollistët më të mirë të KF Shkupit, me padurim pret ndeshjen e të dielës, duke u shprehur se do të jetë një sfidë e madhe, pasi që do të ketë duel ndaj një ekipe të fortë dhe gjithashtu përballja do të jetë shumë interesante, nga vet fakti se luajnë kundër ish-trajnerit të tyre Nexhat Shabani.

“Ne kemi respekt për të gjitha skuadrat, por padyshim se do të nisemi për të marrë të gjitha pikët në Bogovinë. Jemi përgatitur maksimalisht, kushtet që na janë ofruar kanë bërë që ne të japim shumë nga vetja gjatë kësaj faze dhe besoj se do ta arsyetojmë punën”, ka thënë Demiri.

Më tutje Besiri është shprehur i kënaqur nga forca e ekipit, me ardhjen e përforcimeve dhe kjo ka bërë që skuadra të jetë edhe më kompakte. “Ardhjet e reja, siç janë Suat Zendeli, Muharrem Bajrami, Ardian Nuhiu dhe të tjerët, kanë shtuar atmosferën pozitive në klub. Tani më nuk jemi vetëm një klub, por jemi familje e madhe që ndihmon njeri-tjetrin në secilën situatë në fushë. Besoj se FC Shkupi shumë shpejt do të kthehet aty ku e ka vendin”, ka përfunduar deklaratën e tij Besir Demiri.

Të përkujtojmë se KF Shkupi menjëherë pas përfundimit të sezonit vjeshtor bëri shumë freskime në skuadër, duke liruar një numër të madh të futbollistëve, por edhe duke sjellë emra nga ekipet e Ligës së Parë. Në skuadër të përkujtojmë erdhën, Dario Desniq, Fisnik Zuka, Arian Bela, Florent Osmani, Ardian Nuhiu, Muharrem Bajrami dhe Suat Zendeli i cili edhe do të bartë shiritin e kapitenit.

KF Shkupi gjatë përgatitjeve ka përjetuar vetëm një disfatë, edhe atë në miqësoren e parë që sapo kishte grumbulluar ekipin, kur u mund me 2:0 nga Bellasica, ndërsa më pas pason fitoja ndaj Zajazit me 5:0, barazimi pa gola me Pelisterin dhe me Maxharin shënuan barazimin e dytë 1:1. Ndeshjen e fundit e luajti kundër nënkampionit të superligës së Kosovës, Ferizajit të cilën skuadër e mundi me rezultat 1:0.

Tani kur kanë mbetur vetëm edhe disa orë para fillimit të kampionatit, Shkupi i udhëhequr nga trajneri Zekirija Ramadani pritet që të ketë debutim me derbin e Ligës së Dytë, kur në Bogovinë do të luaj kundër Dritës. Kjo ndeshje luhet të dielën, ndërsa skuadra e zemrës do të ketë edhe mbështetjen e tifo grupit “Shvercerat”, të cilët janë pjesë përbërëse dhe e pandarë e klubit në çdo ndeshje, pa marrë parasysh se ku luan skuadra. Urime dhe fillim të mbarë. / fcshkupi.com