Shkupi kthehet edhe më i fortë nga Ohri

Shkupi kthehet edhe më i fortë nga OhriFC Shkupi është një nga ekipet e Ligës së Dytë që ka bërë blerjet më të mëdha të merkatos së janarit dhe synon që të jetë ndër ekipet që do të sigurojë ekzistencën në ligë duke i ikur balotazhit, ndërsa nëse i jepet rasti, do të sulmojë edhe kreun e tabelës

Skuadra e FC Shkupi sot ka përfunduar fazën e dytë të përgatitjeve në Ohër, ku mes tjerash ka luajtur edhe dy ndeshje miqësore, nga të cilat stafi i ekipit teknik me në krye Zekirija Ramadani kanë mbetur shumë të kënaqur.

Shkupi në ndeshjen e parë ka shënuar fitore të lartë ndaj KF Zajazi me 5:0, ndërsa të enjten ka barazuar 0:0 me ekipin nënkampionen e Ligës së Parë, Pelisterin ndaj të cilëve ka treguar lojë shumë të mirë.

“Jemi larguar nga Ohri shumë të kënaqur, kemi zhvilluar përgatitje shumë të mira, mes tjerash kemi fituar shumë kësaj radhe pasi na është kthyer edhe Minas Osmani, i cili do të jetë një përforcim i madh për ne. Kësaj radhe më e mira ishte se të gjithë lojtarët kanë qenë me fizik të mirë dhe kanë dhënë maksimumin gjatë punës, duke dëshmuar se do të ketë një konkurrencë të madhe në ekip”, është shprehur trajneri Zekirija Ramadani.

Stafi teknik i Shkupit futbollistëve u ka dhënë pushim për fundjavë, ndërsa faza përgatitore fillon nga e hëna.

“Ekipi fillon me punë menjëherë nga e hëna, ndërsa seancat stërvitore do të zhvillohen në stadiumin e Çairit. Të mërkurën kemi planifikuar ndeshje miqësore me ekipin e Maxharit në Marino, ndërsa të dielën (23.02.2014), do të luajmë dhe ndeshjen e radhës kundër nënkampionit të Superligës së Kosovës, ekipit të Ferizajit. Në këtë ndeshje do të bëjmë edhe prezantimin e ekipit”, ka thënë zëdhënësi i FC Shkupi, Hajrush Mani

FC Shkupi është një nga ekipet e Ligës së Dytë që ka bërë blerjet më të mëdha të merkatos së janarit dhe synon që të jetë ndër ekipet që do të sigurojë ekzistencën në ligë duke i ikur balotazhit, ndërsa nëse i jepet rasti, do të sulmojë edhe kreun e tabelës. / www.fcshkupi.com