Intervistë me shefin e stafit teknik Ramadani e realizuar nga gazeta Lajm

Intervistë me shefin e stafit teknik Ramadani e realizuar nga gazeta Lajm Klubi i futbollit Shkupi që nga fillimi i kampionatit ka treguar ambiciet e tij për hyrje në elitën e futbollit të Maqedonisë.

Vendi i parë në klasifikim, por edhe ecuria pozitive në gjashtë javët e fundit janë një tregues i qartë se Shkupi është nisur drejt rikthimit atje ku e meriton të jetë në të vërtetë. Trajneri i klubit, Zekerija Ramadani, në një intervistë për “Lajm” ka analizuar ecurinë e çairasve deri në këtë pikë të kampionatit, por gjithashtu u ka bërë një pasqyrim të plotë pretendentëve për titullin kampion, kur në rolin kryesor do të jenë vetë ata.

Lajm: Ramadani, skuadra juaj ka një ecuri fantastike në sezonin e ri të Ligës së dytë. Gjashtë ndeshje, gjashtë fitore dhe kuptohet vendi i parë në renditje? A  mund të bëni një analizë të shkurtër të çairasve deri në këtë pikë të kampionatit?
Ramadani: Deri tani kemi zhvilluar 6 ndeshje dhe sigurisht që jemi të kënaqur nga rezultati dhe nga loja e treguar deri tani. Gjithsesi gjatë kësaj faze kishim ndeshje të vështira, por kemi arritur t’i fitojmë. Unë deri më tani në këtë gjashtë ndeshje, kam inkuadruar 24 futbollistë, që është një punë e madhe e stafit teknik dhe nuk është ndje asnjëherë mungesa e askujt.

Lajm: Na thoni nëse e keni qenë optimist për këto rezultate pozitive?
Ramadani: Unë nga natyra jam optimist dhe kam vetëbesim të madh. Por arrita që edhe tek futbollistët e mi të krijoj një vetëbesim dhe të na rritet optimizmi.  Ne që në fillim të sezonit të ri i kemi pritur këto rezultate dhe nuk na kanë befasuar aspak dhe nuk kemi asnjë eufori për këto rezultate pozitive.

Lajm: Ku  bazohet ky sukses i FC Shkupi?
Ramadani: Ky sukses bazohet në shumë aspekte. Sinqeriteti ndaj çdo futbollisti për çdo gjë, sidomos në aspektin financiar, tek ne nuk premtohen rroga që s’mund të realizohen, por ofrojmë aq sa e kemi mundësin, por janë të garantuara. Edhe organizimi i ekipit është në mënyre profesionale, secili e din punën e vet dhe mban përgjegjësi për atë punë që bënë. Gjithashtu vlen të themi se dhe baza e këtij suksesi është seleksionimi i qëlluar i futbollistëve që nga janari, ne nuk kemi gabuar në përzgjedhjen e futbollistëve dhe kemi arritur të bëjmë konkurrencë të fortë në çdo pozicion.

Lajm: Kush është më meritor për suksesin e deritanishëm?
Ramadani: Normal që më të merituarit janë futbollistët, pastaj meritë kemi stafi teknik, tifozët, kryesia, punëtorët e fushës, ekonomi, stafi mjekësor etj. Me “SHVERCERAT” është kollaj të fitosh.

Lajm:  FC Shkupi po luan shumë me komoditet deri më tani, na thoni nëse është liga e  dobët, apo Shkupi është shumë i fortë, pasi një përshtypje e tillë është fituar nga ndeshjet e deritanishme?
Ramadani: Unë mendoj që ky është kampionati më i fortë viteve të fundit, komoditeti ynë vjen nga puna profesionale që bëhet, përgatitjet që i bëjmë në kushte mjaft të mira, mund të them më të mira se disa ekipe të Ligës së Parë. Ne i kemi 25 futbollist dhe rotacionet që i bëjmë në ekip na sjell këtë komoditet. Me këtë numër të futbollistëve dhe këtë kualitet që posedojmë, FC SHKUPI në Ligën e Dyte është si Real Madridi në Spanjë (qeshet).

Lajm: Si e parashikoni këtë sezon të ri që sapo ka nisur, cilët do të jenë rivalët për titull?
Ramadani: E parashikoj një sezon të fortë, ku rolin kryesor do ta kemi ne, pastaj kemi nëntë skuadra rivale dhe ne i konsiderojmë nëntë skuadrat si pengesë për titullin kampion në Ligën e Dytë.

Lajm: Po konkurrentë të FC Shkupi shihni ndonjë?
Ramadani: Po e përsëris, konkurrent i kemi nëntë skuadrat tjera, do t’i kisha veçuar Gostivarin, Dritën dhe  Mlladostin.

Lajm: Jeni skuadra që nuk keni asnjë barazim, për humbje mos të flasim, edhe sa do të zgjasë kjo ecuri e fitoreve?
Ramadani: Nuk mund ta di se sa do zgjasë kjo seri e fitoreve, por lus Zotin që të zgjatë gjer në fund të kampionatit.

Lajm:  A mendoni se Gostivari mund tu shkaktoj telashe në fushën e saj?
Ramadani: Futbollistët e Gostivarit kanë treguar karakter gjerman, pasi shumë ndeshja i kanë vendosur në minutat e fundit, duhet të jemi të koncentruar gjatë 90 minutave. Unë besoj që jemi më të fort se Gostivari në çdo aspekt dhe këtë do ta dëshmojmë në fushë. Garantoj që do të jetë ndeshje shumë e mirë.

Lajm: Dhe në fund,  do të ketë ndonjë risi në afatin kalimtar të janarit, apo FC Shkupi nuk ka nevojë për freskime të reja?
Ramadani: Mendoj që do bëjmë dy deri tri lëvizje në ekip, që ata futbollist të kenë kohë për ambientim në ekipin tonë, që në Ligen e Parë mos ta kemi atë problem.

Intervistën e realizoi Reshat Ibrahimi

http://lajmpress.com/sport/39028.html

Përgjigjuni komentit