Muharemi: Edhe sot më duket se ëndrra po vazhdon

INTERVISTË ME TALENTIN E FC SHKUPI SUHEL MUHAREMI

Sot të gjitha mediat flasin për talentin 16 vjeçar të FC Shkupit, të gjithë dëshirojnë të kenë një deklaratë nga djaloshi i cili përveç se bëri skuadra e tij të barazojë rezultatin në 2:2 në Manastir ndaj Pelisterit, ai theu edhe një rekord të ri në kampionatin e ligës së parë të Maqedonisë, duke u bërë futbollisti më i ri që ka shënuar gol.

FC Shkupi: Suhel, je në shkollën e Akademisë së futbollit pranë FFM-s, ndërkohë luan edhe me grupmoshat e reja të FC Shkupit. Si është ndjenja që të jesh pjesë e seniorëve me vetëm 16 vite pas vete?
Suhel Muharemi: Sigurisht se Shkupi është një skuadër e madhe dhe është nder dhe krenari për mua që të jem pjesë e skuadrës kampione dhe fituese e Kupës së Maqedonisë. Ne si futbollistë që rrjedhim nga shkollat e futbollit, e kemi ëndërr që sa më shpejtë të veshim fanellën e shtrenjtë të skuadrës së seniorëve dhe të jemi pjesë me futbollistët e mëdhenj, të cilët janë edhe udhërrëfyes për ne.

FC Shkupi: Të flasim pak për ndeshjen e djeshme. Si e përjetuar ndjenjën e të shënuarit gol vendimtar në minutat e fundit?
Suhel Muharemi: Edhe sot kur tani më jam zgjuar, mendoj se jam në një ëndërr e cila po zgjatë nga dje. Ishte moment që e kisha pritur shumë kohë të marrë besimin e trajnerit dhe të futem në lojë. Mendoj se e gjitha kjo është shpërblim për mua nga Zoti, ndërsa edhe për trajnerin Ardian Nuhiu i cili më besoi minutat shumë vendimtar për ekipin. Ende vazhdoj të mendoj se ëndrra po vazhdon.

FC Shkupi: Fakti që e keni shënuar golin e barazimit është e përkohshme, por ju keni bërë tani edhe historinë, jeni futbollisti më i ri që ka shënuar në Ligën e Parë të Maqedonisë?
Suhel Muharemi: Unë nuk e kisha ditur një gjë të tillë, thjesht nuk kam pasur informacion se kush ka shënuar golin në moshë më të re. Mua mu dha rasti dhe unë e shfrytëzova atë, por shpresoj që kjo të mos jetë hera e fundit, por të vazhdoj edhe në të ardhmen të jem ndihmë e klubit tim, të cilin e dua që nga fëmijëria.

FC Shkupi: Si ishte atmosfera në zhveshtore, pasi vetëm pas disa minutave që shënuat, ndeshja përfundoi?
Suhel Muharemi: Falënderoj të gjithë bashkëlojtarët, trajnerët dhe kapitenin e skuadrës Suat Zendeli. Ishte ndjenjë e paharruar, ata të gjithë më përgëzuan për golin, festuam dhe më dhanë mundësinë të jem unë lideri i këngës për Shkupin. Kishte shumë emocion në kabinat e zhveshtores.

FC Shkupi: Po në shkollë, si komentohej sot goli yt?
Suhel Muharemi: Normalisht, të gjithë shokët në akademi fillimisht më përgëzuan dhe kishte komente nga më të ndryshmet, më krahasonin me futbollistë të ndryshëm të ekipeve të mëdha evropiane, por unë mendoj se ne kemi të gjithë virtytet tona dhe kemi mundësi që të mos emërtohemi me asnjë futbollistë tjetër,. Të bëhemi vetja sikurse e bëri Enis Bardhi i cili rrjedh pikërisht nga shkolla e futbollit të FC Shkupi.

FC Shkupi: Na e përshkruaj në fund pak momentin kur more thirrjen nga trajneri Ardian Nuhiu për tu futur në lojë?
Suhel Muharemi: Duke e parë kohën se kishin mbetur vetëm edhe pesë minuta deri në fund nuk pritja që unë të jem i thirrur të futem në lojë. Trajneri Ardian Nuhiu më ftoi afër tij dhe më tha që këto janë minutat e tua, në momentin e parë tha sapo të marrish topin shfrytëzoi aftësinë tënde ashtu sikurse din ti, pasi shpesh herë në ndeshjet me grupmoshat e reja kam shënuar gola të bukur nga distanca. Këtë edhe e bëra, me prekjen e parë të topit nuk kam menduar dy herë dhe vërejta lëvizjen e portierit, ndërsa këmbën time të majtë e kam precize, që edhe kësaj radhe nuk më zhgënjeu.

Share Now

Related Post

Përgjigjuni komentit