Shkupi zyrtarizon kartelat vjetore

Shkupi zyrtarizon kartelat vjetore Sot edhe zyrtarisht FC Shkupi ashtu sikurse edhe kishte paralajmëruar më parë se do të ketë kartela vjetore për tifozë, sot ka bërë zyrtarizimin e tyre, duke i lëshuar në shitje, ndërsa nderin që të ketë kartelën e parë, kishte legjenda e këtij klubi, Nexhmedin Memedi.

Kryetari i FC Shkupi, Ejup Ademi në mënyrë solemne i ka dhuruar këtë kartelë legjendës së futbollit shqiptar dhe në veçanti ekipit të FC Shkupi, Nexhedin Memedi, i cili ka potencuar se Shkupi shumë shpejt do të jetë në kreun e futbollit në Maqedoni dhe do të arrijë të bëhet ekip me nderë edhe në arenën ndërkombëtare.

“E falënderoj kryesinë e klubit dhe Komunën e Çairit që nuk më kanë harruar dhe që kanë vendosur që kartela e parë të jetë në duart e mia, që si futbollist kamë dhënë shumë për këtë klub dhe do të vazhdoj edhe në të ardhëm të kontribuoj për këtë skuadër. Patjetër se shkallët e stadiumit të Çairit duhet të jenë të stërmbushura se ky ekip edhe e meriton”, ka shtuar mes tjerash më deklaratën për faqen zyrtare të klubit Memedi.

Edhe kryetari i klubit Ejup Ademi është ndarë i kënaqur nga ky takim dhe ka thënë se klubi në asnjë mënyrë nuk do të harrojë asnjë person i cili ka kontribuar për këtë skuadër që nga themelimi i tij. “Ne kemi nderuar sot Nexhmedin Memedin, por të gjithë do të jenë të nderuar ashtu siç e meritojnë. Për këtë klub kanë kontribuar të gjithë qytetarët e Shkupit, andaj edhe nuk guxojnë ndryshe ta ndjejnë këtë klub përveç se të tyrin. I ftoj të gjithë që të jenë anëtar të klubit, kështu edhe do të ndihmojnë skuadrën e tyre të zemrës”, është shprehur kryetari Ademi.

Njoftojmë se kartelat duke nisur nga dita e mërkura do të jenë në shitje, ndërsa numri i tyre është i kufizuar. Të gjithë të interesuarit mundë të furnizohen me kartelën vjetore në zyret e FC Shkupi në Çair, ndërsa kartela është e vlefshme për të gjitha ndeshjet që do të zhvillojë skuadra në fushë nikoqire. / fcshkupi.com

Përgjigjuni komentit