Shkupi dhe Pelisteri do ta hapin javën e gjashtë të Ligës së parë të Maqedonisë, ndeshje kjo që do të luhet të shtunën në Çair.
Mesfushori me tipare sulmuese, Besar Iseni, thotë se Shkupi më shumë se kurrë ka nevojë për një fitore në këtë pjesë të kampionatit për tu kthyer pikërisht në vendin ku edhe e ka në mesin e pesëshes më të mirë të kampionatit.
“Rezultatet tregojnë të veten, sigurisht se kemi problem me realizimin, por jemi duke komponuar një ekip të ri, pasi të gjithë e dimë se me vonesë u kyçën përforcimet që klubi angazhoi. Jam i bindur se nuk e meritojmë të jemi në këtë pozitë në tabelë dhe do të bëjmë të pamundurën që sa më shpejt të arrijmë të kthehemi në pjesën e sipërme. Pikërisht në ndeshjen ndaj Pelisterit duhet treguar karakterin e fortë për fitoren e parë. Është evidente se kemi pasur presion në momente edhe nga referimi, e që në ndeshjen e fundit ndaj Pobedës na ka dëmtuar me penallti dhe me lojë pasive, por gjithmonë fajtorin duhet kërkuar te vetja, pasi duhet realizuar secilin rast që na jepet. Shpresoj që të shtunën të marrim tri pikë ndaj një rivali siç është Pelisteri, skuadër kjo që u tregua të jetë befasia e fillimit të sezonit”, ka thënë Besar Iseni.
Dueli i të shtunës luhet në stadiumin e Çairit me fillim në ora 15:30, ndërsa drejtësinë do ta ndajë referi nga Ohri, Marjan Eckoski. Të përkujtojmë se skuadra e Shkupit ende vuan dënimin të luajë pa tifozë, andaj dueli me Pelisterin do të jetë i parafundit.
Debuton Khalil Lambin
Në ndeshjen e të shtunës skuadra e Shkupit dhe trajneri Visar Ganiu do të kenë në dispozicion edhe përforcimin e fundit, Khalil Lambin, i cili me ekipin u bashkua duke ardhur nga kampionati belg. Sulmuesi Lambin që ka shtetësi të dyfishtë, atë të Bregut të Fildisht dhe Francës, pritet të jetë motori i sulmit për të shënuar gola, pjesë kjo që po i mungon ekipit që nga sezoni i kaluar. Lambin ka stërvitur me ekipin tani më shumë se dy javë dhe duket të jetë i gatshëm të jetë në duelin përballë Pelisterit të shtunën.