Skuadra e FC Shkupi ishte shumë afër të merr tripikëshin e ri, kësaj radhe në duelin derbi të javës së 15-të që u luajt në arenën “Filipi i Dytë” në Shkup kundër Rabotniçkit.
Skuadra e trajnerit Zekirija Ramadani që në fillim të ndeshjes ishte shumë më aktive dhe dominoi në mesfushë duke tentuar që shpesh herë me këmbëshpejtin Ardian Nuhiu të befasoj me kundërsulme nikoqirët. Edhe pse në një terren jashtëzakonisht të vështirë për lojë, në pjesën e parë nuk kishte raste serioze nga asnjëra skuadër dhe portierët mbetën pa u nxehur në një kohë që binte dhe shi shumë i ftohtë.
Edhe pjesën e dytë të përzgjedhurit e trajnerit Ramadani luajtën të njëjtin sistem të lojës, por kësaj radhe edhe Rabotniçki ishte shumë më aktiv dhe kishte disa raste kur tentoi të befasoj Zendelin, i cili edhe në këtë ndeshje ishte në super formë.
Vlen të përmendet se kjo ishte një nga paraqitjet më të mira të të gjithë futbollistëve, të cilët me shumë angazhim dhe korrektësi zbatuan të gjitha detyrat dhe në asnjë moment nuk e lejuan Rabotniçkin të zhvillojë lojën e tyre.
Dhe kur të gjithë pritën që të përfundojë ndeshja pa gola, në skenë doli talenti i Shkupit, Besar Iseni i cili me stilin e tij tani më të njohur, duke lënë pas vete gjithë mbrojtjen vendase, me goditje shumë precize në këndin e majtë shënoi për avantazh, e gjithë kjo ndodhi në minutën e 89-të. Dhe kur pritej që të kalojnë minutat e fundit, për vetëm shkurt kohë, nikoqirët arritën që nga një tollovi para portës, pasi më parë Sahiti e kishte goditur shtyllën, e që topi ishte kthyer te Altiparmakovski, i cili e barazoi rezultatin.
“Ishte një ndeshje shumë e vështirë, pasi edhe terreni qe i papërshtatshëm. Kemi dhënë maksimumin dhe ishim të motivuar mjaft mirë për këtë ndeshje. E dëshiruam fitoren që nga fillimi dhe ishim shumë afër, por ky është futbolli dhe nuk arritën ta kontrollojmë rezultatin në fund. Besoj se me këtë lojë nuk do ta ketë asnjë skuadër të lehtë ndaj nesh, ndërsa mos të harrojmë se ne kemi edhe një armë më të fortë që se kanë ekipet tjera, e ata janë tifozët tanë “Shvercerat” që nuk po ndalen të na japin përkrahjen në secilën ndeshje”, ka thënë autori i golit Bsar Iseni.
Ndeshjen e radhës FC Shkupi e luan të dielën në stadiumin e Çairit në Shkup, kur mysafire do të jetë ekipi i Sileksit. Me një pikë nga dueli me Rabotniçkin, Shkupi është e 5-ta në tabelë me 20 pikë të grumbulluara, një më pak se Rabotniçki dhe dy më pak se i treti Sileksi. / FC Shkupi /
FC Shkupi: Zendeli, Bajrami, Ademi, Zuka (Arifi), Iseni (Maksuti) , Nuhiu, Janevski (Bae), Murati, Osmani, Adili dhe Llazarevski,