Në orët e pasdites skuadra jonë ka përfunduar me stërvitet në prag të ndeshjes së javës së 12-të, njëherit kur edhe fillon rrethi i dytë i sezonit 2020/21.
Skuadra ka shfrytëzuar në maksimum pauzën dy javore që kishte kampionati shkaku i angazhimeve të përfaqësueses në kuadër të Ligës së Kombeve.
Nga data 10 nëntor, ekipi ynë ka qëndruar në Dojran, ku këtë vit për herë të dytë ka zhvilluar kamp stërvitor. Trajneri Umit Karan ka shfrytëzuar këtë boshllëk dhe ka punuar në ngritjen e formës së futbollistëve, të cilët në pjesën e dytë të sezonit do të fillojnë me dy ndeshje në fushë mysafire.
Për duelin e të dielës që luajmë në Tetovë kundër Shkëndijës, ka folur kapiteni i skuadrës, Besar Iseni.
“Gjatë kësaj pauze dy javore të kampionatit jemi munduar që të përmirësojmë lojën dhe të evitojmë disa gabime që kemi pasur në ndeshjet paraprake. Besoj se kemi punuar mjaftueshëm mirë. Në ekip ka atmosferë pozitive dhe nga ndeshja në ndeshje kemi thënë se do të kërkojmë në secilën përballje pikë dhe rezultat pozitiv. Ndeshjet me Shkëndijën gjithmonë kanë qenë të vështira, por kemi ditur të fitojmë dhe të barazojmë, andaj edhe kësaj radhe shkojmë në Tetovë për të marrë pikë. Do të jemi të hendikepuar shkaku i disa mungesave, por secili që do të merr shansin për të luajtur do të jap më të mirën e mundshme nga vetja”, është shprehur kapiteni Iseni.
Kujtojmë se shkaku i pesë kartonëve të verdhë në këtë ndeshje nuk ka të drejtë loje Ardit Iljazi, ndërsa në stërvitjen e të premtes lëndime kanë marrë tre futbollistë dhe paraqitja e tyre është diskutabile. Portieri Kristijan Naumovski, mbrojtësi Darko Glishiq dhe mesfushori Firat Gulu.
Kujtojmë se ndeshja Shkëndija – Shkupi luhet të dielën në stadiumin e qytetit në Tetovë me fillim në orën 13:00.