Me ndeshjet e javës së 18-të, do të përmbyllet sezoni vjeshtor i kampionatit të Ligës së Parë në Maqedoni. Skuadra e FC Shkupi ndeshjen e fundit do ta luajë si mysafire e Shkëndijës, ndërsa ndeshja do të luhet në Kërçovë.
Skuadra e Shkupit dëshiron që me rezultat pozitiv të përmbyll ciklin e këtij sezoni, ku nga 17 ndeshje ka pësuar vetëm 3 disfata, ndërsa ka një seri prej shtatë ndeshjeve pa e shijuar humbjen. Edhe për këtë ndeshje skuadra ka zhvilluar përgatitje intensive, ndërsa trajneri Zekirija Ramadani do të tentojë të nxjerrë njëmbëdhjetëshin me të mirë.
Për duelin kundër Shkëndijës është prononcuar Finsik Zuka, i cili në ndeshjet e fundit ka marrë besimin e trajnerit Ramadani. “Kemi pas një orar të vështirë në pjesën e fundit të sezonit, ndërsa në fazën vjeshtore gjithmonë e kemi fundin të papërshtatshëm shkaku që edhe fushat janë në gjendje të rëndë, që nuk na mundëson të bëjmë lojë të mirë. Me Shkëndijën kemi një bilanc negativ, pasi ndeshjen e fundit e kemi humbur në Çiar. Do të kërkojmë të shfrytëzojmë mungesat që kanë kuqezinjtë dhe të përfitojmë në dështimet eventuale të skuadrave tjera që të shkëputemi në renditje. Besoj që me angazhim të ekipit do të mbesim të pamposhtur edhe në përmbyllje të këtij edicioni”, ka thënë një nga futbollistët e rinj të FC Shkupi.
Për ndeshjen ndaj Shkëndijës, Shkupit i kthehet Mevlan Adili, i cili mungoi ndaj Mlldostit shkaku i pesë kartonëve të verdhë, ndërsa në këtë ndeshje pritet që të jetë i gatshëm edhe Ersen Asani.