Në Autokomandë të Shkupit, fluturuam lartë si një kampion I vërtetë, duke fituar kundër Skopjes me rezultat 1:3 në javën e 16-të të Ligës së Parë në Maqedoninë e Veriut.
Golin e parë e shënoi Freddy Alvarez në minutën e 7-të.
Pak para përfundimit të pjesës së parë, pas një gabimi në mbrojtje, Skopje barazoi për 1:1.
Në pjesën e dytë, në minutën e 55-të Faustin Senghor e shënon golin e dytë për Shkupin dhe në fund të ndeshjes, në minutën e 95-të, nga pika e bardhë, Freddy Alvarez, e shënoi golin e tretë dhe të fundit për këtë ndeshje.
Në minutën e 69-të në fushë futet Marko Gjorgjievski dhe në ato minuta që luajti, tregoi paraqitje mjaft të mirë, i cili në fund edhe e fitoi penaltinë për skuadrën tonë. Ai shprehet I lumtur për këtë fitore mjaft të rëndësishme.
“Fitore e rëndësishme kjo kundër Skopjes. Golin e parë e shënuam shpejtë dhe pastaj pas një gabimi e pranuam golin nga Skopje. Në pjesën e dytë, ishim shumë më të mirë, luajtëm më shpejtë dhe ishim më të qetë. Tani fokusohemi dhe mendojmë për ndeshjen e së mërkurës kundër Shkëndijës ku edhe presim përkrahje nga tifozët tanë”, tha Marko Gjorgjievski pas ndeshjes me Skopjen.
Skuadra jonë, vazhdon ta mbajë pozitën e parë në tabelë me gjithësej 38 pikë të grumbulluara dhe ndeshja e radhës për Shkupin, është kundër Shkëndijës, të mërkurën në Çair.
Gjithashtu, vlen të ceket që në ndeshjen e sotme, tifo-grupi jonë Shvercerat Shkup nuk u lejuan të futen në stadium, mirëpo nuk na lanë vetëm dhe kënduan gjatë 90 minutave nga të gjitha anët jashtë stadiumit.