Skuadra e FC Shkupi ka vazhduar me përgatitjet për sezonin pranveror, ndërsa në grumbullimin e parë së bashku me ekipin ishte edhe futbollisti strugan Besmir Bojku, i cili do të vazhdojë qëndrimin te bardhekaltërit edhe për gjashtë muaj në formë huazimi nga Shkëndija e Tetovës.
Të përkujtojmë se Bojku kishte një intervenim para se përmbyllet sezoni vjeshtor, e që ka dalë të përfundojë me sukses, ndërsa futbollisti strugan me punë të madhe ka filluar të kthejë ngadalë formën e duhur.
“Jam shumë i lumtur që kthehem përsëri në terrenin e gjelbër. Fillimisht dua të falënderoj Allahun që më mundësoi përsëri të rikthehem në stërvitje, e më pas një falënderim të veçantë edhe për të gjithë ata të cilët më përkrahën familjen, shokët dhe trajnerit. Një falënderim të veçantë edhe për kryesin e KF Shkëndija dhe FC Shkupi që në momentet më të vështira më qëndruan pas”, ka thënë Bojku pas paraqitjes së tij në stërvitjen e parë me FC Shkupi.
Futbollisti i ri Bojku, i cili është edhe pjesë e pandashme e reprezentacionit të të rinjve të Maqedonisë, ditëve në vazhdim do të stërvitet i vetmuar në Strugë, ndërsa me klubin do të bashkohet përsëri pas një muaji, kur të fillojnë përgatitjet përfundimtare në Shkup.
“Do të mundohem që fillimisht të përgatitem sa më mirë dhe kur të kthehem të jem plotësisht i gatshëm për të dhënë maksimumin për ekipin. Mendoj se do të mungoj në 5-6 ndeshjet e para të sezonit pranveror, por nuk përjashtohet mundësia që nëse gjithçka shkon mbarë dhe mirë të kthehem edhe më herët. Do të doja që edhe unë të jap kontributin tim për klubin që të arrijë objektivat. /fcshkupi/