Skuadra e FC Shkupi ka vazhduar me stërvitje të rregullta, ndërsa java që lamë pas ishte me intensitet të shtuar, duke marrë parasysh se trajneri Visar Ganiu kishte vendosur që ekipi të stërvitet nga dy herë në ditë.
Fillimisht ekipi kishte stërvitje fizike në sallë të brendshme, e më pas stërvitjen kryesore në përgatitje taktiko-teknike e kishte në fushë artificiale në lokalet e FFM-s.
“Deri tani jemi shumë të kënaqur nga angazhimi i futbollistëve dhe besoj se ngadalë po e arrijnë formën e duhur. Ne nuk dëshirojmë të shtojmë ritmin e stërvitjeve shumë, pasi mendojmë se faza e ngritjes së përgatitjeve do të fillojë në Ohër. Sigurisht se edhe kontrollueset që i kemi caktuar do të na mundësojnë që të shohim se sa kemi arritur të bëjmë përmirësim në rritjen e cilësisë”, ka thënë trajneri Ganiu.
Skuadra e Shkupit tani më ka aranzhuar edhe ndeshjet kontrolluese, përballjen e parë e luan të mërkurën kundër Makedonija Gj.P, në stadiumin artificial në Gjorçe Petrov me fillim në orën 13:00.
Më pas pritet që në fund të muajit të udhëtohet drejt Ohrit për të vazhduar përgatitjet. Pikërisht në Ohër do të luhet më 3 shkurt ndeshje kontrolluese me Mlladost Lluçani, skuadër e Ligës së Parë të Serbisë, data e 6 shkurtit është rezervuar për kontrolluese ndaj Teteksit, ndërsa ekziston mundësia për të luajtur edhe një ndeshje me datë 9 apo 10 shkurt, por e gjithë kjo varet nga nisja për në Ohër. Ndeshja e fundit, apo dhe kontrolluesja gjenerale do të luhet me 14 shkurt kundër skuadrës së Gostivarit. /fcshkupi/