Pas aventurës evropiane, sot ekipi i gatshëm është për duelin e parë të sezonit të ri futbollistik të vendit, 2023/24.
Një periudhë e mirë e kaluar me përgatitje adekuate dhe ndeshje të mira në Ligën e Konferencës do ta gjejnë skuadrën të gatshme për sfidat e radhës.
Me përforcimet e sjella këtë verë dhe ndeshjet e zhvilluara deri më tani, skuadra ka treguar se ka një organik të shëndoshë dhe do të jetë në kërkim të sukseseve si në kampionat ashtu edhe në garat e Kupës.
Kundërshtari ynë i parë i këtij sezoni, është Rabotniçki, skuadër kjo që gjithashtu ka bërë disa ndryshime me prurjen e futbollistëve të rinj. Ndeshja Rabotniçki – Shkupi do të luhet në stadiumin “Boris Trajkovski”, në lagjen Maxhari të Shkupit me fillim në ora 17:00.
Përveç tani më të larguarit Renaldo Cephas, ekipi do të jetë i kompletuar, andaj trajneri Cihat Arslan nuk duhet të ketë probleme për të formuar ekipin që do të jetë përballë “romantikëve”.
Për duelin e sotëm ka folur Arbi Vosha: “Çdo fillim sezoni është shumë e rëndësishme të nis me këmbë të mbarë. Ne si ekip jemi përgatitur maksimalisht edhe pse kemi pasur angazhime në ndeshjet evropiane. Jemi gati për sfidat e reja dhe do të japim maksimum në çdo lojë. Për duelin e sotëm ndaj Rabotniçkit kishim kohë të mjaftueshme për tu bërë gati dhe besojmë në fitore dhe duam që tre pikët e të mbesin te ne”, ka thënë Vosha.
Në pesë përballjet e fundit, ekipi ynë ka shënuar pesë fitore ndaj skuadrës nga “Parku i Qytetit”, duke fituar tri herë si nikoqir dhe në dy ndeshje kemi marrë po dy fitore edhe në cilësinë e mysafirit. Arbitër kryesor në këtë ndeshje do të jetë Aleksandar Stavrev.