Në kuadër të javës së tretë të Ligës së Parë të Maqedonisë së Veriut, ekipi ynë luan ndeshjen e parë në cilësinë e nikoqirit, ndërsa përballë do të ketë Sileksin nga Kratova.
Pas fitores së parë të regjistruar ndaj Vardarit, futbollistët tanë kishin kohë të mjaftueshme për tu përgatitur dhe analizuar Sileksin, që në këtë duel vjen pas një disfate dhe një fitoreje dhe me tri pikë në konton e saj.
Sigurisht se të gjithë futbollistët janë të gatshëm për sfidën e radhës, ku kërkojnë vazhdimësi të suksesit.Të njëjtin mendim e ka edhe sulmuesi shtatlartë, Luan Abazi, i cili në ndeshjen ndaj Vardarit tregoi se ka potencial të madh dhe se do të jetë problemi kryesor për mbrojtjet e ekipeve kundërshtare.
“Kemi zhvilluar stërvitje shumë të mira këto ditë dhe në klub mbretëron atmosferë shumë pozitive, normalisht këtë e bëri dhe fitorja e fundit që shënuam ndaj Vardarit. Sot do të jemi për herë të parë në këtë sezon përpara publikut tonë në Çair, që duhet të jetë një shtytje plus për të treguar edhe më shumë kualitetin dhe aftësitë tona. Jemi të gjithë të gatshëm që të nisim ndeshjen me plot përkushtim dhe të marrim pikët e reja në duelin ndaj Sileksit, skuadër që sigurisht duhet vlerësuar, por në Çair luajmë vetëm për fitore”, ka thënë Abazi.
Në pesë duelet e fundit që kemi luajtur ndaj Sileksit, kemi tri fitore, një disfatë dhe një barazim. Dueli Shkupi – Sileksi që luhet në Çair me fillim në orën 17:00, për arbitër kryesor ka struganin Jovan Kaçevski.