Dueli i javës së gjashtë i ekipit tonë i luajtur në Tetovë ku ishim mysafir të Shkëndijës, dhuroi një derbi të vërtetë me një futboll dinamik, por ndeshja përfundoi me rezultatin 0-0.
Ndeshja edhe pse ishte shumë e kontrolluar në mesfushë, por dy ekipet kohë pas kohe dhuruan lojë të hapur. Pjesa e parë nuk ofroi shumë emocione, përveç një rasti premtues para portës së Shkëndijës, kur Rrahmani në minutën e 13-të kishte rast ideal për ti dhënë ekipit tonë epërsi, por goditja e tij u kontrollua nga portieri i tetovarëve Talevski. Mundësi nga ana tjetër kishte edhe Shkëndija me Maksimovin, por në këtë rast kapiteni ynë, portieri Iljazi nuk lejoi befasi. Në pushim skuadrat u larguan me rezultatin e fillimit.
Në pjesën e dytë Shkëndija pati disa raste, një me anë të Çinarit, por rrjeta e ekipit tonë mbeti e paprekur. Ekipi ynë kontrolloi mirë mbrojtjen, por disa herë mendonte edhe për portën e kundërshtarit me kundërsulme dhe goditje nga distanca.
Megjithatë, asnjëra ekip nuk arriti që të shënojë golin për tri pikë. Rastin më ideal e kishin ekipi nikoqir në minutën e 73 me Maksimovin që doli i vetëm para porte, po Ijazi edhe një herë tregoi se pse e bartë numrin një në shpatulla, duke i mohuar golin e epërsisë nikoqirëve.
Skuadra ynë ia doli të merr një barazim dhe mbetemi në pozitën e katërt, me nëntë pikë.
Në xhiron e radhës Shkupi do të presë në Çair ekipin e Brera nga Strumica (17.09.2023), sepse pason një pushim prej dy javësh, kur përfaqësuesja e vendit luan ndeshjet kualifikuese për Euro 2024.