Në ndeshjen e javës së dhjetë të Ligës së Parë të Maqedonisë së Veriut, ekipi ynë luajti mysafir në Kavadar, ku përballë kishte ekipin e Tikveshit, ndeshje kjo që përfundoi me barazim 1-1.
Ndeshja filloi me një kundërsulm të shpejtë të ekipit tonë që nga mesi u fushës u dërgua një top i shpejtë drejt Sahitit, i cili u fut në zonë dhe ishte i ndalur nga një mbrojtës nikoqir, por arbitri Kamçevski nuk akordoi në pikën e bardhë.
Më pas në minutën e pestë Tikveshi kishte një rast shumë të mirë me Varellovskin, i cili me kokë goditi topin, por që përfundo vetëm skaj shtyllës.
Goli i parë i ndeshjes u shënua nga nikoqirët në minutën e 24-të, ku pas rivënies nga këndi, topi devijoi dhe arriti te Spahiu, i cili me të parën goditi topin. Iljazi nuk kishte pamje të mirë dhe nuk arriti të ndal goditjen për rezultat 1-0.
Në minutën e 38 një super aksion i Voshës, i cili nga këndi i vdekur nga e majta dërgoi topin në këndin e djathtë për të mposhtur me një super gol Dimovskin dhe barazuar rezultatin në 1-1.
Vetëm një minutë para kohës së rregullt të pjesës së parë, kapiteni dhe portieri Iljazi kishte një intervenim të mrekullueshëm, pas një goditje të befasishme nga Spirkoski.
Në minutën e dytë të pjesës së dytë, Trapanovski tentoi nga distanca, por dërgoi topin vetëm skaj porte. Në minutën e 72 pamë edhe një goditje perfekt të Voshës, që u ndal nga portieri Dimovski.
Në fund të ndeshjes, nikoqirët rritën tempin e lojës. Luhej minuta e 85-t, Diene dhe Iljazi shpëtuan një gol të pastër, ndërsa edhe më mirë intervenoi Iljazi në minutën e 89-t, kur ndali një goditje nga vetë një metër të Mojsovit.
Deri në fund kishte pesë minuta kohë shtesë që nuk ndikuan në ndryshimin e rezultatit. Me këtë pikë, ekipi ynë mbetet edhe më tutje ne kreun e tabelës, në pozitën e dytë me 19 pikë, ndërsa ndeshja e radhës në kampionat do të luhet me 22 tetor, kur në Çair do të jemi nikoqir të ekipit të Bregallnicës.