Xhemal Ibishi, një nga sulmuesit më të mirë të futbollit vendor, tani më është futbollist bardhekaltër. Ibishi, 23 vjeç, ka nënshkruar kontratë me FC Shkupi deri në qershor të vitit 2025. Ai ka lënë KF Tikveshin, me të cilin ekip në 18 ndeshje shënoi tre gola, duke shtuar dhe tre asistime.
Ibishi është një lojtar i kompletuar, i cili luan si qendër-sulmues. Ai ka një teknikë të shkëlqyer, me një shpejtësi instinkt të fortë për të shënuar. Ibishi ka përvojë të madhe edhe me përfaqësueset e moshave të Maqedonisë së Veriut, U17. U19 dhe U21. Ibishi futbollin profesionist e kishte nisur të Vardari i Shkupit, që më pas të vazhdojë karrierën në Kroaci me ekipin e Lokomotiva të Zagrebit, Dubrava po të Zagrebit, Orijent të Rijekës. Ibishi ka thënë se është i kënaqur dhe i entuziazmuar për të luajtur me fanellën e FC Shkupi, dhe se synon të kontribuojë në arritjen e objektivave të klubit.
“Më gëzon fakti që do të jem lojtar i FC Shkupit, klub me aspirata madhore. Fillimisht shpreh mirënjohjen time për pritjen e ngrohte nga bashkëlojtarët, stafi teknik dhe kryesia e klubit. Është privilegj të jesh në një mes të tillë dhe luash para një tifozerie të përbetuar. Me shprese për shëndet të mirë dhe fat sportiv, besoj se do t’i arrijmë objektivat që i kanë hije këtij klubi dhe gjithë tifozëve të tij. Falënderoj kryesinë e klubit, stafin teknik dhe gjithë ata që kontribuuan për ardhjen time te FC Shkupi. Premtoj shumë punë dhe kolegialitet drejt sukseseve të përbashkëta”, ka thënë Ibishi.
Ardhja e Ibishit në klubin tonë do të shtojë forcë, kreativitet dhe efikasitet në sulm. Ibishi do të jetë në dispozicion për trajnerin Mlladen Zhizhoviç për ndeshjet e radhës që do të luhen në kuadër të kampit përgatitur në Antalya të Turqisë.