Ekipi ynë ndeshjen e xhiros së 22-të të Ligës së Parë të Futbollit të Maqedonisë e ka mbyllur edhe me një rezultat të palakmueshëm, barazim 0-0.
Skuadra nikoqire e nisi ndeshjen me disa sulme në fillim dhe tentoi të merrte epërsinë, por mungoi realizimi në fund të sulmeve. Nga ana tjetër pas minutës së 10-të, skuadra jonë filloi të balancojë lojën në mesfushë dhe të kërkojë golin e epërsisë. Pikërisht në minutën 23 pas disa tentime të një pas njësh,me, ishte Hamza Ramani që dërgoi një goditje të fortë, por topi u ndal me dorë në mënyrë të palejuar brenda zonës së ndaluar. Arbi Vosha ishte ai që goditi nga pika e bardhë, por goditjen e tij e lexoi portieri Jankov. Edhe në vazhdim kishim disa raste të mira me Dudun, Trapanovskin dhe Voshën, por që në të gjitha rastet topi u kontrollua pas intervenimeve të portierit Jankov, me çka në pushim u shkua me rezultatin 0-0.
Edhe në pjesën e dytë ekipi ynë nisi duke kërcënuar rrjetën kundërshtare dhe pati dy raste të reja me Voshën, por topi përfundoi pranë shtyllës dhe mbi portë. Në krye të detyrës ishte përsëri portieri Jankov, i cili nuk lejoi që të ndryshon rezultati. Ekipi ynë vazhdoi të ketë posedim të topit dhe raste të njëpasnjëshme, por edhe Bregallnica kërkonte shansin e saj me kundërsulme, dhe një të tillë pati një me Dimitrievskin në minutën e 70-të të ndeshjes, por në këtë rast mbrojtja ishte në gatishmëri duke larguar topin në rivënie këndore.
Trajneri Mlladen Zhizhoviç provoi që të freskojë sulmin, me futjen në lojë të Ibishit, Dodevit dhe Edmundsonit, të cilët kishin disa raste, por nuk arritën që të bëjnë dhe ndryshimin e rezultatit. Me këtë barazim tani mbetemi në pozitën e dytë, me një pikë më pak se Struga.