Fundjava do të sjellë ndeshjet e javës së 25-të, ku ekipi ynë në stadiumin e Çairit do të jetë nikoqir i skuadrës së Vardarit. Ky duel luhet të shtunën, shkaku i ndryshimit të orarit të ndeshjeve gjysmëfinale të Kupës së Maqedonisë, që do të luhen me 2 prill.
Ekipi ynë në këtë ndeshje futet me të vetmin synim fitoren. Skuadra jonë sot ka zhvilluar stërvitjen e fundit dhe në fund futbollistët, stafi dhe kryesia janë optimist në fitore, njëkohësisht këtë presin edhe tifozët e skuadrës, të cilët kanë paralajmëruar spektakël në tribuna.
Shkupi gjatë kësaj pauze shkaku i aktiviteteve të përfaqësueses së vendit, ka zhvilluar miqësore ndaj Arsimit të Ligës së Dytë, të cilën ndeshje e fitoi me rezultat 1-3.
Për duelin ndaj Vardarit, ka folur mesfushori i ri i skuadrës tonë, Hamza Ramani, i cili mes tjerash ka thënë se ekipi duhet të merr fitore që të vazhdojë garën për të fituar dy titujt.
“Ndeshja ndaj Vardarit është me rëndësi të madhe për ne, duke ditur faktin se kishim një periudhë të vështirë me disa barazime. Të shtunën kthehemi në fushën tonë dhe me shumë përkushtim e punë për të marrë rezultate më të mira. Ne duelin kundër Vardarit me përkrahjen nga ana e “Shvercerave”, fitorja nuk do të mungon, duke ditur se qëllimi ynë mbetet i njëjtë, i duam dy titujt në Çair. Sigurisht se asgjë nuk është e lehtë, mirëpo me përkushtim dhe me punë në grup, do të arrijmë objektivat e dëshiruara”, është shprehur Ramani, i cili është edhe anëtar i rregullt i përfaqësues së Maqedonisë U21.
Gjatë këtij sezoni ekipi ynë në dy duelet e zhvilluara ndaj Vardarit, ka marrë dy fitore, fillimisht e kishim mundur si mysafir me rezultat 1-0 dhe më pas në Çair 2-0.
Duhet përmendur se shkaku i pesë kartonëve të verdhë, në duelin e nesërm do të mungon Blerton Sheji. Ndeshja Shkupi – Vardari luhet të shtunën në stadiumin e Çairit, me fillim në ora 15:00, ndërsa drejtësinë do ta ndajë arbitri shkupjan, Marjan Mlladenovski.