Skuadra e FC Shkupi sot ka luajtur ndeshjen e dytë kontrolluese në kuadër të përgatitjeve për sezonin e ri futbollistik, ndërsa kësaj radhe ishte mysafire e Renovës në Ohër, skuadër kjo e cila gjithashtu po zhvillon fazën përgatitore.
Ndeshja filloi që në minutat e para me dominim të ekipit të Shkupit, që tregoi se trajneri Visar Ganiu kërkon këtë sezon ekip më ofensive.
Në disa tentime të para Shkupi rrezikoi portën e Renovës me sulmuesin Husein Demiri, i cili ishte më i avancuar në repartin e sulmit, i përcjellë nga Florent Osmani dhe Fatmir Arifi nga krahët. Rasti i parë konkret për Shkupin ishte në minutën e 14-të, kur Fatmir Arifi kaloi mbrojtjen tetovare dhe goditja e tij e kaloi edhe portierin, por shtylla shpëtoi Renovën nga goli.
Në minutën e 20-të, Shkupi mori një kundërsulm të shpejt nga mesfusha me Besart Isenin dhe Husein Demirin, të cilët mirë pasuan për njëri tjetrin në vazhdimësi, që në fund Iseni të shënoj një super gol për kryesim të Shkupit në 1:0. Deri në fund të pjesës së parë Shkupi rrezikoi portën e Renovës edhe disa herë me Osmanin dhe Demirin, por nuk kishte konkretizim.
Renova pjesën e dytë e filloi me sulme, ndërsa një gjuajtje e lirë në minutën e 65-të, Argjend Gafuri arriti të poshtë portierin Suat Zendeli, për të barazuar shifrat 1:1. Në vazhdim të ndeshjes dy trajnerët, Visar Ganiu i Shkupit dhe Qatip Osmani i Renovës bënë disa ndryshime në ekip, ndërsa rezultati mbeti i pandryshuar.
Menjëherë pas ndeshjes Shkupi është kthyer në bazën e përgatitjeve në Mavrovë, ku do të qëndrojë për dhjetë ditë të ardhshme, ndërsa kontrolluesja e radhës është caktuar ajo kundër KF Vëllazërimi të Kërçovës që do të luhet me 23.07.2016 (e shtunë), në Kërçovë.
Shkupi e filloi ndeshjen me këtë formacion: Suat Zendeli, Dimitrija Llazarevski, Mevlan Adili, Edis Maliqi, Bujamin Asani, Muharem Bajrami, Filip Janevski, Besart Iseni, Florent Osmani, Fatmir Arifi dhe Husein Demiri.
Në pjesën e dytë luajtën edhe: Marijan Maxharovski, Fisnik Zuka, Hadis Qaili, Samir Shabani, Armend Gashi dhe Lavdrim Salihasi. /fcshkupi/