Disfatë në Ohër përballë Voska Sport me shifrat 3:1, e që realisht nuk përshkruajnë pasqyrën e vërtetë brenda 90 minutave lojë. Një FC Shkup i mirë, por jo edhe i fuqishëm, nuk mjaftoi për të frenuar futbollistët e Voska Sport, të aftë për të goditur në momente vendimtare dhe për të fituar në fund ndeshjen.
Kur neve me të gjitha forcat kërkonim golin e barazimit, vendasit fare në fund, në minutat shtesë përfituan një penalti, e që realisht shuajti shpresat tona për të fituar të paktën një pikë nga kjo transfertë.
PJESA E PARË
Pjesa e parë nuk nisi edhe aq mirë, pasi vetëm në minutën e 13-të, trajneri Erdem Alparslan duheshe të bëjë zëvendësim të detyrueshëm. Për shkak të një dëmtimi, mbrojtësi i krahut të majtë Xhelil Asani, braktisi fushën, ndërsa në vend të tij në lojë u inkuadrua Numan Ajetoviq. Taktikisht asnjë ndryshim në formacion, pasi 18-vjeçari u pozicionua në të njëjtën pozitë, ku kishte nisur Asani.
Ndërkohë një pakujdesi nga ana e mbrojtësve të fundit, bëri që në minutën e 35-të të shohim veten në disavantazh, ndërsa na ndëshkoi një ish futbollist i yni, Abdylhadi Jahja.
Edhe pse në disa raste tentuam që të sjellim barazpeshë të rezultatit që në pjesën e parë, mungonte finalizimi konkret, ashtu që në pushim shkuam me një gol disavantazh.
PJESA E DYTË
Pjesën e dytë e nisëm me një zëvendësim, duke përforcuar repartin ofenziv me inkuadrimin në lojë të Avornyo. Qëllimi ishte që ganezi të ndihmonte Fabrice Tamban në krye të sulmit, gjë kjo që dha edhe efektin e saj gjatë shënimit të golit të barazimit.
Mirëpo para se të arrinim deri tek goli, futbollistët tanë krijuan disa raste të bukura, që mund të ndryshonin edhe kahjen e lojës, kur është në pyetje rezultati. Megjithatë në dy tentativa të njëpasnjëshme, fati na e ktheu shpinën.
Në minutën e 52-të, Imeri harkoi në shtyllën e dytë nga rivënia e këndit, duke gjetur mbrojtësin Pinter, ndërsa goditjen e tij me kokë në mënyrë bravuroze e ndali portieri vendas, Kitanovski. Ai në ato momente devijoi topin dhe nuk lejoi gëzimin e mbrojtësit tonë sllovak, ndërsa në vazhdim të aksionit goditjen e Numan Ajetoviq me kokë, nga vija fatale e pastroi sulmuesi amerikan i Voska Sport, Larson.
Nuk vonoi shumë dhe në aksionin e rradhës, me të njëjtit aktorë, rrezikuam sërish portën e vendasve. Imeri harkoi rivënien e rradhës nga krahu tjetër i këndit, këtë herë në shtyllën e parë për Pinter, i cili me kokë devijoi topin në shtyllën e dytë për Numan Ajetoviq, që nga afërsia nuk arriti të shënojë.
Mirëpo këto dy raste të qindtpërqindta brenda dy minutave ishin një paralajmërues i mirë për golin që do të vinte në minutën e 56-të, me autorë Fabrice Tamba.
Pas një aksioni të gjatë në krahun e djathtë, topi arriti deri te Imeri, i cili nga brendia e zonës harkoi në shtyllën e dytë për Avornyo. Ky i fundit duke shfrytëzuar shtatëlartësinë e tij me kokë ktheu topin brenda 5-metërshit të portierit mysafir, i cili në ato momente nuk arriti të ndalonte sulmuesin tonë Tamba, për të shënuar golin e barazimit.
Mirëpo kur tashmë prisnim një reagim edhe më të fuqishëm të skuadrës tonë, ndodhi e kundërta. Skuadra nuk reagoi mirë në vazhdim të lojës, pavarësisht zëvendësimeve të bëra nga ana e trajnerit, që nuk dhanë impaktin e duhur.
Kështu në minutën e 79-të pasi nuk arritëm të mbulojmë mirë krahun e majtë të mbrojtjes, Xhemil Jahiji na ndëshkoi me golin e dytë, ndërsa fare në fund të ndeshjes, kur e gjithë skuadra jonë ishte e fokusuar tek goli kundërshtarë, vendasit përmes sulmuesit amerikan Larson, përfituan një penalti, të cilën në gol e shndërroi malazezi, Vukoviç.
RENDITJA TABELARE
Xhiroja e 12-të ndërpret kështu reagimin e FC Shkupit në kampionat, duke na detyruar që të mbetemi në kuotën e 16 pikëve në renditje, aty ku tashmë pozicionohemi në vendin e 6-të.
Nëse dëshirojmë të ju afrohemi pozitave që sigurojnë Europën, duhet reaguar shumë shpejtë, edhe atë që në fundjavë, kur do të mirëpresim Gostivarin. Skuadra e Erdem Alparslan ka treguar shumë seriozitet dhe përkushtim në dy ndeshjet e zhvilluara para publikut tonë në Çair, duke marrë fitore identike 3:1 përballë AP Brera, gjegjësisht Tikveshit.
Ndeshjen e rradhës kundër Gostivarit, do ta zhvillojmë sërish në Çairin tonë të pamposhtur, ku duhet të shkojmë përtej epilogut të pafavorshëm dhe të vazhdojmë të mendojmë pozitivisht për ndeshjet e rradhës në kampionat.
______________________________
LPFMV – Java 12
VOSKA SPORT – FC SHKUPI 3:1
⚽️Autorë i golit: Fabrice Tamba 56’
Arbitër kryesor: Dimitar Pileshkov
🟨Futbollistë të ndëshkuar me kartonë të verdhë: D. Imeri, M. Pinter
Për ekipin tonë luajtën:
Denkovski, K. Bllazhevski (Xh. Ibishi 79’), Xh. Asani (N. Ajetoviq 13’), M. Pinter, E. Gueye, K. Ansah (E. Avornyo 46’), H. Ramani, D. Imeri (A. Diene 68’), F. Kadriu, B. Guxhufi (Y. Kanda 68’), F. Tamba;