Dy golat e shënuar brenda 45 minutave të para nga El Haxhi Gueje dhe Xhelil Asani, bënë diferencën në fitoren e sotme 3:1 ndaj kampionëve të Struga Trim Lum, ndaj së cilës skuadër regjistrojmë edhe fitoren e dytë këtë edicion dhe gjithsej të 8-tën në përballjet tona.
Goli i hershëm i El Haxhi Gueje, i realizuar pas një tollovie në zonën kundërshtare në minutën e 17-të, i dha krahë skuadrës, që në minutën e 32-të përfitoi një penalti përmes këmbëshpejtit, Florian Kadriu.
Përgjegjësinë për të ekzekutuar këtë 11-të metërsh e morri, Xhelil Asani, i cili nuk gaboi dhe shënoi golin e parë me fanellën e FC Shkupit.
Në intervistën e dhënë për kanalin e klubit, i njëjti tha se këtë gol ua dedikon “Shvercerave”, të cilët edhe përkundër ndalimit për të qenë në shkallët e stadiumit, edhe njëherë tjetër treguan dashurinë e madhe ndaj klubit, duke na përkrahur nga jashtë stadiumit.
Pas epërsisë prej dy golave gjatë pjesës së parë, skuadra jonë e nisi me shumë komoditet dhe vetëbesim pjesën e dytë, ku shumë lehtë mund të ndodhte që në aksionin e parë më konkret të shënojmë edhe golin e tretë me anë të Xhemal Ibishit, që nga brendia e zonës vuri në mjaft vështirësi portierin mysafir, Qoshevski.
Pas saktësisht 10 minuta lojë në këtë pjesë, Albert Diene, edhe pse para vetes kishte mjaft hapësirë për të goditur dhe rrezikuar portën mysafire, nuk arriti që të gjejë cakun e duhur.
Megjithatë, atë që nuk arriti të bëjë Diene, e bëri rezervisti, Georg Stojanovski, i cili në minutën e 75-të shfrytëzoi në maksimum pasimin e Besar Guxhufit. Ky i fundit me hapa të shpejtë u nis drejt gjysmëfushës kundërshtare, pas një gabimi të mysafirëve para zonës tonë, ndërsa mu në momentin e duhur vendosi të shërbejë me topin bashkëlojtarin e tij të sulmit, i cili në ato momente shënoi për rezultat 3:0.
Me këtë gol, kishte marrë fund edhe historia e fituesit, pasi deri në mbyllje të takimit, Struga Trim Lum, arriti që të shënojë vetëm një gol, edhe atë në minutën e parë të kohës shtesë, përmes sulmuesit të saj kryesor, Lanre Kehinde.
Në fund fitore më se e merituar e skuadrës tonë, që në këtë mënyrë ndërpreu serinë prej 5 ndeshjeve pa fitore. Është kjo fitorja e 5-të sezonale, që na rikthen në pozitën e 6-të, derisa në xhiron e fundit të stinorit vjeshtorë, si mysafir do të përballemi me Besën e Dobërdollit në Gostivar.
Kjo ndeshje në program do të jetë të dielën, ndërsa deri atëherë të shijojmë këtë fitore të ëmbël, që në fund e festuam bashkë me tifozët tanë besnik, “Shvercerat”.
—————————————————————————————————————————————
LPFMV – Java 17
FC SHKUPI – STRUGA TRIM LUM 3:1
Arbitër kryesor: Dimitar Pileshkov
🟨Futbollistë të ndëshkuar me kartonë të verdhë: Xh. Ibishi, E.H. Gueye, A. Diene, D. Imeri;
Për ekipin tonë luajtën:
A. Iljazi, K. Bllazhevski, N. Ajetoviq, E. H. Gueye, H, Ramani, A. Diene, D. Imeri (A. Mehmedi 89’), Xh. Asani, Y. Kanda (B. Guxhufi 68’), F. Kadriu (E. Liçina 89’), Xh. Ibishi (G. Stojanovski 59’);
Trajner: Erdem Alparsllan