Pushimit dalë nga dalë po i vie fundi. Futbollistët të relaksuar këtë periudhë, me 8 janar do të grumbullohen për herë të parë bashkë në vitin 2025, vit të cilin skuadra jonë do ta nis me një udhëheqësi të re mjaft ambicioze.
Gjithçka është pranë finalizimit. Kanë mbetur vetëm edhe disa detaje të vogla që klubi edhe zyrtarisht të kalojë në duart e Presidentit të ri, Yasin Konyali, i cili bashkë Drejtorin Gjeneral CEO, Aykut Turan dhe Drejtorin Sportiv, Nderim Nexhipi, tashmë i kanë idet e qarta se si klubi do të funksionojë tash e tutje.
Siç dihet, hapi i parë i tyre ishte afrimi i disa prej talentëve nga Akademia, por edhe afrime të reja që së shpejti do të zbulohen për opinionin sportiv në vend, e në veçanti tifozët tanë të flaktë “Shvercerat”.
Ariton Mehmedi, Andi Ismaili dhe Anes Bajrami, do të jenë fytyrat e reja në grumbullimin e parë të skuadrës, ndërsa bashkë me ta edhe disa lojtarë të tjerë pretendentë për në ekipin e parë si dhe përforcimi i vetëm deri më tani, Emir Yazici.
Grumbullimin e parë skuadra do ta ketë në stadiumin e Çairit. Të gjithë futbollistët fillimisht do të ju nënshtrohen ekzaminimeve mjekësore, përfshirë këtu edhe matjet fizike, që më pas ditëve në vijim të punojnë në pjesën fizike dhe tekniko taktike, gjithnjë nën vëzhgimin e kryetrajnerit Erdem Alparslan, së bashku me stafin e tij.
Ekipi në Shkup, gjithnjë nëse kushtet klimatike na e mundësojnë një gjë të tillë, do të stërvitet deri me 21 janar, ndërsa më 22 janar do të udhëtojmë drejt Turqisë, aty ku do të qëndrojmë deri me datë 8 shkurt dhe do të zhvillojmë fazën kryesore të përgatitjeve në prag të stinorit pranveror.
Ekipi do të akomodohet në Hotel “Kamelya Selin Luxory”, në Antalia të Turqisë, aty ku kemi planifikuar të zhvillojmë edhe 4 ndeshje kontrolluese.
NDESHJET KONTROLLUESE
Ndeshjen e parë kontrolluese në Antalia të Turqisë do ta zhvillojmë me datë 25 janar kundër polakëve të FC Polonia Ëarszaëa, ndërsa katër ditë më vonë do të masim forcat me bullgarët e FC Septemvri.
Ndeshjen e fundit do ta zhvillojmë me 6 shkurt kundër kazakëve të FC Kaysar, ndërsa para kësaj ndeshje, ekipi ka planifikuar të zhvillojë edhe një ndeshje tjetër, për të cilën do të ju informojmë në mënyrë plotësuese.
EMRAT E RINJ
Përveç talentëve të rinj, që skuadrës iu bashkuan nga Akademia, siç janë Ariton Mehmedi, Andi Ismaili dhe Anes Bajrami, por edhe përforcimi i vetëm deri më tani, Emir Yazici, skuadrës pritet ti bashkohen edhe disa emra të rinj, edhe atë para se skuadra të vazhdojë përgatitjet në Turqi.
Kështu ekipi deri atëherë pritet të përforcohet në të gjitha repartet, përfshirë këtu, portën, mbrojtjen, mesfushën dhe sulmin.
STINORI PRANVEROR
Stinori pranveror starton me 16 shkurt, ndërsa deri atëherë besojmë se skuadra do të jetë e përgatitur në mënyrën më të mirë për të na gëzuar me rezultate pozitive. Ndeshjen e parë në kuadër të pjesës së dytë të sezonit 2024/25 do ta zhvillojmë në terren vendas kundër njërit prej liderëve të stinorit vjeshtorë, Rabotniçkit.