Xhezair Avduli është futbollisti i dytë që i bashkohet skuadrës tonë në këtë merkato dimri, pas mbrojtësit turk, Emir Yazici. Me Avdulin kemi nënshkruar kontratë për dy vite e gjysmë, duke besuar thellësisht në kualitetet e tij.
Avduli familjes së FC Shkupit i bashkohet pas aventurës mjaft të suksesshme që pati me KF Arsimin edicionin vjeshtor, por edhe edicionin e kaluar, kur ishte një ndër futbollistët e padiskutueshëm titullarë.
Ai me KF Arsimin gjatë stinorit vjeshtorë zhvilloi gjithsej 18 ndeshje (16 në kampionat dhe 2 në kuadër të Kupës), duke regjistruar 10 asistime dhe 4 gola të shënuar.
Karrierën e kishte nisur te Shkëndija e Haraçinës, për tu transferuar më pas te Fortuna e Hasanbegut, derisa falë talentit të tij, shtatorin e vitit 2021 ishte transferuar te Shkëndija e Tetovës.
Pjesë e KF Arsimit, Avduli u bë verën e vitit 2023, ndërsa prej sot edhe zyrtarisht 20-vjeçari do të jetë pjesë e FC Shkupit.
Në këtë mënyrë drejtuesit e FC Shkupit vazhdojnë të ju besojnë futbollistëve të rinj, duke pasur parasysh se deri më tani të gjithë që i kemi angazhuar janë të moshës së re: Emir Yazici (22 vjet), Ariton Mehmedi (17), Andi Ismaili (16), Anes Bajrami (15).