Skuadra e Shkupit sot ka zhvilluar stërvitjen e fundit para sfidës së parë kundër ekipit të Ligës së Dytë, KF Akademija Pandev, me të cilët do të kenë dy ndeshje në kuadër të 1/8 së Kupës së Maqedonisë.
Sigurisht se skuadra e udhëhequr nga trajneri Visar Ganiu do të kërkojë që këtë vit të arrijë sa më afër finales së Kupës, për një rezultat të tillë padyshim se do të duhet fillimisht të kalohet barriera e kësaj sfide. Për ndeshjen në fjalë është prononcuar vet trajneri i ekipit, Visar Ganiu i cili në asnjë moment nuk mendon se kundër ekipit të ri në futbollin e Maqedonisë “Akademija Pandev” do të jetë lehtë, pasi që bëhet fjalë për skuadër që në mesin e saj ka futbollist me përvojë që kanë luajtur në ekipe të Ligës së Parë dhe se këtë e kanë dëshmuar duke u renditur në pozitën e parë të tabelës në kategorinë e dytë.
“Luajmë me një ekip e cila është anëtare e Ligës së Dytë, por unë mundë të them lirisht se Akademija Pandev ka futbollist dhe cilësi pothuajse të barabartë me ekipet e Ligës së Parë, por është një përparësi për ne që ndeshjen e parë do ta luajmë në Strumicë, ndërsa të dytën do ta luajmë në Çair edhe atë në kohën kur më nuk do të jemi të dënuar që të luajmë pa tifozë. Mendoj se nuk duhet të kemi problem, thjesht me angazhim të madh dhe disiplinë do ta kalojmë edhe këtë sfidë”, ka thënë trajneri i bardhekaltërve Visar Ganiu.
Shkupi futet në këtë përballje të Kupës së Maqedonisë pas një fitore me shumë vlerë në fundjavë ndaj Pelisterit dhe shihet si skuadër favorite, ndërsa dal ngadalë shihet edhe ngritja e formës së futbollistëve të rinj që u bashkuan në afatin kalimtar të gushtit, siç janë dyshja franceze Lambin dhe Traore, por edhe e futbollistëve vendas. Për këtë përballje Ganiu nuk do të kalkulojë me ekipin, pasi që të gjithë do të jenë të gatshëm, në përjashtim të mbrojtësit Filip Gligorov, i cili ankohej nga dhimbja e barkut, që do ta le jashtë ekipit për këtë sfidë.
Ndeshja Akademija Pandev – FC Shkupi luhet të mërkurën (21.09.2016), në stadiumin “Mlladost” të Strumicës, me fillim nga ora 15:30, ndërsa në këtë ndeshje nuk do të mungojë edhe përkrahje e tifozëve të Shkupit “Shvercerat”, të cilëve u është lejuar që në mënyrë të organizuar të udhëtojnë drejt Strumicës për të përkrahur futbollistët e tyre.