Pas barazimit të së shtunës në kuadër të javës së shtatë që Shkupi luajti në Tetovë ndaj Renovës, ekipi është kompletuar sot dhe ka nisur punën për duelin e radhës, atë ndaj Pelisterit që do të jetë edhe ndeshja e fundit në stadiumin e Çairit para se të fillojë faza e dytë e kampionatit.
Trajneri Ardian Nuhiu u kishte dhënë një ditë të lirë futbollistëve që luajtën të shtunën, ndërsa pjesa tjetër e ekipit ka punuar pa pushim dhe tani të gjithë janë së bashku dhe po hartojnë plainin se të vazhdojnë serinë pozitive edhe në ndeshjen e radhës.
Për duelin e të mërkurës është prononcuar mbrojtësi Edis Maliqi, i cili nga ndeshja në ndeshje ka kapur formë të mirë dhe së bashku me kolegët e tij në katër ndeshjet e fundit Shkupi ka pësuar vetëm dy gola.
“Ndeshja e të mërkurës do të jetë e një rëndësie të madhe për ne nga fakti se luajmë ndeshjen e fundit në Çair në përfundim të fazës së parë. Fillimisht do të shfrytëzoj rastin që të ftojë në numër sa më të madh publikun edhe pse e mërkura është ditë pune, që së bashku të krijojmë atmosferë të mirë dhe të arkëtojmë pikë të reja me të cilat do të ruajmë pozitën në pjesën e epërme të tabelës. Sigurisht se Pelisteri është skuadër e fortë dhe nuk ka ndonjë ndryshim të madh nga viti i kaluar. Ne kemi thënë se respektojmë të gjithë kundërshtarët dhe i mirëpresim në Çair, por në fushë futemi me ambicie të qarta për të arkëtuar tri pikë të radhës”, është shprehur Edis Maliqi.
Pas ndeshjes me Pelisterin, Shkupi do të luajë si mysafire ndaj Vardarit të dielën, ndërsa në fillim të fazës së dytë të kampionatit dy ndeshjet e para do të jetë mysafire, fillimisht e Akademija Pandev dhe më pas në Tetovë e Shkëndijës.