Futbollistët e FC Shkupit prej sot u janë kthyer stërvitjeve dhe po përgatiten për sfidën e të dielës, kur në Manastir do të jenë mysafir të skuadrës së Pobedës, ndeshje kjo që do të luhet në kuadër të javës së 21 të LPFM-s.
Lajm i mirë për trajnerin Ardian Nuhiu por edhe për vet tifozët, është se sot është kompletuar dokumentacioni edhe për dy përforcimet e fundit Toni Tipuriç i cili luan në rolin e mbrojtësit të fundit dhe Emre Can Atila që luan sulmues krahu, të cilët do të kenë të drejtë paraqitje që nga ndeshja e të dielës.
Trajneri Nuhiu mes tjerash ka thënë se dy futbollistët kanë treguar ngritje në punën e tyre gjatë kësaj faze sa kishin kohë për të punuar dhe shpreson se do të jenë të gatshëm për duelet e radhës.
“Kemi punuar me dy futbollistët në vazhdimësi dhe nga ajo që kanë treguar deri më tani jam shumë i kënaqur. Sigurisht se nuk është lehtë edhe për futbollistët që menjëherë të mësojnë organikën e lojës së skuadrës, andaj do të shkojmë në hapa të sigurt dhe do të shohim momentin e duhur se kur do të jenë të gatshëm për tu inkuadruar në formacion”, ka thënë Nuhiu.
Të përkujtojmë se ndeshja Pobeda – Shkupi është vendosur të luhet në stadiumin “Pod tumbe kafe” në Manastir me fillim nga ora 14:00.