Skuadra e FC Shkupit, sot pasdite ka zhvilluar stërvitjen e fundit para përballjes së nesërme në kuadër të javës së 5-të të Ligës së Parë të Maqedonisë, ku si mysafire luan ndaj Vardarit, që njëherit është ky derbi lokal i qytetit por dhe derbi i javës.
Për këtë ndeshje futbollistët kanë punuar me kapacitet të plotë dhe pas përfundimit të angazhimeve që kishin disa nga futbollistët tanë me ekipet përfaqësuese, trajneri Hayati Soydas kishte kohë për të njoftuar nga afër lojtarët.
Për duelin e nesërm ka folur sulmuesi brazilian i Shkupit, Sergio, i cili padyshim se ka vlerësuar punën e trajnerit, duke shtuar se ekipi është gati që të kthehet te rezultatet pozitive.
“Kemi ndeshje shumë të rëndësishme kundër Vardarit, mendoj se të gjithë lojtarët e dimë se sa është kjo ndeshje e rëndësishme dhe në shkojmë për të marrë fitore pasi që është e një rëndësie shumë të madhe për ne. Po trajneri është shumë i mirë, por fillimisht është person shumë i mirë, dëshiron gjithçka të jetë mirë për ne, ndërsa edhe në duhet të bëjmë më të mirën për te, pasi që të bashkuar mundë të fitojmë, mundë të arrijmë Evropën, pasi kjo është ajo që duam”, ka thënë braziliani Sergio.
Ndeshja Vardari – Shkupi luhet të dielën me fillim në orën 15:30 në stadiumin “Boris Trajkovski” në lagjen Maxhari, ndërsa ndeshja është shpallur e rrezikut të lartë dhe nuk do të lejohen tifozë mysafir. Në duelin Vardari – Shkupi drejtësinë do ta ndajë arbitri nga Strumica Marjan Gocevski.