Sot ka përfunduar pushimi i merituar për stafin e trajnerëve dhe futbollistët e FC Shkupi, të cilët nga ora 18:00 kishin edhe grumbullimin e parë dhe stërvitje të lehtë nën urdhrat e trajnerit Umit Karan.
Në ekip mbretëronte një atmosferë shumë pozitive dhe kishte freski në këmbët e tyre, pasi kaluan një sezon mjaft të vështirë dhe me shumë sfida. Pikërisht këtë para futbollistëve e tha edhe trajneri Karan.
“Fillimisht uroj të keni shëndet të plotë dhe të fillojmë me këmbë të mbarë. Pas nesh lamë një sezon me sukses por dhe me mjaft sfida. Tani përpara kemi fazën përgatitore dhe ndeshjet e UEFA Europa Ligës, që do të thotë edhe këtë vit ne e fillojmë shumë herët me punë. Andaj mendoj se me këtë grup që jemi tani dhe me ardhjet që do të kemi në vazhdim, mendoj të bëjmë një ekip të fortë dhe të vazhdojmë edhe një betejë të re në të gjitha sfidat që na presin”, ka thënë Karan.
Ekipi deri të shtunën do të punojë me nga dy seanca stërvitore në Çair, ndërsa të dielën futbollistë e kanë ditë të lirë, pasi të hënë udhëtohet për ne Turqi, për në kampin stërvitor të Bolu, ku varësisht nga shorti i nesërm do të organizohet edhe qëndrimi i ekipit, ndërsa stafi i menaxherëve të ekipit është në përgatitje të planit të punës dhe ndeshjeve kontrolluese.
Rikthehen në ekip, Lika, Aliu dhe Ramadani
Kryesia e Shkupit ka vendosur që pas qëndrimit gjashtë mujor në ekipet e kategorive të dyta, të rikthejë në shtëpi futbollistë e tyre të talentuar siç janë Besir Ramadani i cili ishte i huazuar te ekipi Genç Kalemler, Jusuf Aliu që u aktivizua të Vëllazërimi i Kërçovës dhe Musli Lika luajti të dibranët e Korabit. Që të tre futbollistët u janë nënshtruar urdhrave të trajnerëve dhe do të vazhdojnë punën në skuadrën bardhekaltër.