Afati kalimtar i verës vazhdon të jetë mjaft aktiv dhe i nxehtë për kryesinë e FC Shkupit, pasi po vazhdojnë që të sjellin futbollistë me të cilët do të kërkohet që të mbete këtë edicion më gjatë në arenën ndërkombëtare, por të jetë dhe konkurrues për pozitë të lartë edhe në kampionatin vendor.
Sot bardhekaltërit kanë arritur që të bëjnë për vete edhe nj futbollistë shumë të rëndësishëm, bëhet fjalë për 21 vjeçarin Sabit Bilali, i cili luan në pozitën e mesfushorit.
Bilali te Shkupi vjen nga ekipi i Makedonija Gj.P., me të cilët ka përfunduar kontratën gjatë kësaj vere, ndërsa në sezonin që lamë pas luajti plot 33 ndeshje, ndërsa në dy mungoi shkaku i kartonëve të verdhë dhe një shkaku i lëndimit. Gjatë edicionit të kaluar mesfushori Bilali kishte realizuar katër asistime dhe ishte futbollisti kryesor që e ndihmoi ekipin e tij të arrijë në finalen e Kupës dhe njëkohësisht në pozitën që të jetë në arenën ndërkombëtare.
“Është kënaqësi për mua që sot arrita të firmos për klubin e Shkupit, një ekip që ka traditë të madhe dhe klub me tituj të fituar. Pa dyshim se do të mundohem në secilën ndeshje të jap maksimumin nga vetja për të përmbushur planet e klubit dhe për të kënaqur pritmërit e tifozëve më të flaktë në vend “Shvercerat”, ka thënë Bilali, i cili që sot ka udhëtuar për në Bolu të Turqisë, ku do të bashkohet me ekipin.
Të përkujtojmë se Sabit Bilali karrierën e tij e kishte filluar në shkollën e futbollit të KF Renova, më pas për të kaluar në Dinamo Zagreb, ka luajtur edhe në Gjermani me ekipin e FSV 63 Luckenwalde në Oberlig, te KF Shkëndija dhe KF Gostivari ishte para se të transferohet së fundmi në Makedonija Gj.P.
Shkupi dhe Bilali kanë nënshkruar kontratë një vjeçare, me mundësi për ta vazhduar ate.