Skuadra e ka nisur me fitore dhe tre pikë sezonin e ri garues 2019/20 në Ligën e Parë të Futbollit të Maqedonisë së Veriut, pasi në Çair fituam Borecin me rezultat 2:0. Dy golat e fitores i shënuan Jurina dhe Goudiabi.
Takimin e nisëm me sulme në kërkim të golit, ndërsa tentimin e parë serioz e kishim në minutën e 6-të me Sabit Bilalin që gjuajti nga jashta zona, por pa rrezikuar portën kundërshtare. Mysafirët regjistruan rastin e parë në të 11-tën me Kocevin. “Bardheblutë” në minutën e 25-të kishin rast ideal për gol, por tentimin e Jurinas e ndali tranversa. Në vijim regjistruam raste me Serginhon dhe Likën, por pa finalizimin e duhur. Tre minuta para fundit Boreci kishte rast të mirë, por mbrojtësi Ismaili shpëton rrjetën tonë, duke larguar topin nga vija fatale. Deri në fund të pjesës së parë tentuam edhe njëherë me brazilianin Serginho, por rezultati në 45 minutat e para mbeti i pandryshuar.
Në pjesën e dytë miqt regjistruan rastin e parë me Kocev që gjuajti nga distanca, por në nivelin e detyrës ishte portieri Thulio. Minuta e 61-tën solli golin, me Jurinan që realizoi për epërsi të Shkupit 1:0. Pas golit, ekipi vazhdoi me ritmin e njejtë, duke krijuar aksione, ndërsa në të 82-të Goudiabi nga brenda zona goditi shtyllën, ndërsa 2 minuta më vonë i njejti futbollist dyfishoi shifrat në 2:0, duke vulosur kështu rezultatin përfundimtar të ndeshjes që i dhuroi tre pikë të para në sezonin e ri.
Ndeshjen e radhës në kampionat, Shkupi e luan me Rabotniçkin në transfertë (18.08.2019).