Bulent Akin është emëruar shef i ri i stafit teknik të skuadrës tonë. 41 vjeçari që është i lindur në Bruksel të Belgjikës, por me origjinë turke vjen në Çair për të zëvendësuar trajnerin e larguar, Umit Karan.
FC Shkupi dhe Akin kanë firmosur kontratë 1 vjeçare, ndërsa ndihmës i strategut turk do të jetë Orhan Abdi, që rikthehet sërish në klubin tonë. Trajneri i ri ka nisur me punë këtë javë, kur fillimisht u njoftua me skuadrën, duke premtuar në të njejtën kohë se do të jep më të mirën për të arritur suksese të mëdha me ekipin në fund të këtij sezoni. Bardheblutë u udhëheqen sot nga Akin në miqësoren e zhvilluar ndaj KF Besa, të cilën e fituam me rezultat 5:1.
Akin gjatë karrierës së tij si futbollist ka qenë pjesë e shumë klubeve të ndryshme të Turqisë, mes tjerash ka luajtur edhe për gjigandët e Gallatasarayt brenda periudhës 2000/02, ndërsa karrierën e ka nisur te skuadra e njohur Anderlecht. Duke parë që ka kaluar një karrierë me skuadra të ndryshme, Akin do të shpalos të gjitha përvojat e fituara në ekipin tonë për një renditje më të mirë të Shkupit në kampionat dhe kompeticionin e Kupës.
Ndeshjen debutuese në kampionat, trajneri i ri me ekipin tonë do ta ketë me 14 shtator kundër Sileksit.