Skuadra e FC Shkupit ka zhvilluar ndeshjen e tretë në kuadër të përgatitjeve dimërorë që po zhvillon në Antali, ndërsa sot përballë kishim ekipin e Super Ligës së Kosovë, skuadrën e Feronikelit.
Ndeshja ka qenë një test i mirë për trajnerin Qatip Osmani, i cili ka provuar me një njëmbëdhjetëshe tjetër nga ajo e duelit kundër Çelikut ditë më parë.
Pjesa e parë është mbyllur pa gola të shënuar me disa raste nga ekipi ynë, ku do të veçojmë tentimin e Dembo në minutën e 22, pas asistimit të Isenit ishte në rast të mirë për shënim, por portieri i Ferinikelit Smakiqi ishte më i shpejtë.
Ndërsa në pjesën e dytë Shkupi pati më shumë nga loja, por edhe kësaj radhe mungoi realizimi. Rasti i parë erdhi në minutën e 49 kur Glishiq krosoi, por para Muaremit doli përsëri portieri Smakiqi. Tre minuta më vonë Sieni gjuajti fortë drejt portës, por topi u devijua nga mbrojta, ndërsa Jusufi kishte një tentim prej jashtë 16-t metërishit, por përsëri Smakiqi ishte në krye të detyrës.
Feronikeli nga pak raste që pati, arriti të shfrytëzojë momentin dhe të shënojë nga pika e bardhë në minutën e 75-t, me autor të golit Mendurim Hotin.
Ishte kjo disfata e parë e Shkupit që nga fillimi i përgatitjeve dimërore, pasi që më parë luajti baras në katër duelet tjera, Shkupi – NK Çelik 2-2, Shkupi – Neftçi 0-0 dhe në fazën e parë të përgatitjeve në Shkup, me Flamurtarin e Prishtinës dhe Dritën e Gjilanit, gjithashtu nuk kishte fitues 0-0.
Ndeshjen e radhës Shkupi e luan me 6 shkurt, kur përballë do të kemi ekipin rumun, FC Ripensia Timisoara.