Nga dita në ditë punët në shtëpinë e FC Shkupit, stadiumi i Çairit po merr pamje të re dhe moderne, pasi që janë afër përmbylljes punët në tribunës e re. Por kjo nuk është e gjitha, pasi nga sot, ashtu siç ishte premtuar Federata e Futbollit të Maqedonisë së Veriut dhe Komuna e Çairit kanë nënshkruar aneks marrëveshjen për instalimin dhe mirëmbajtjen e terrenit, duke e larguar plotësisht tapetgin e vjetër të blertë dhe ndërtimin e fushës së re. Në fushën e re do të ketë një sistem modern të ujitjes dhe kullimit të ujit, si dhe më pas ajo do të mirëmbahet me standardet më të larta.
Pa dyshim se publiku dhe tifozeria e madhe e FC Shkupit e merituan këtë, duke marrë parasysh se ky klub me histori të madhe ka traditë dhe ka numrin më të madh të tifozërisë, ndërsa tani kur ekipi është në krye të tabelës së Ligës së Parë dhe kur jemi në vazhdimësi pjesëmarrës në Kupat e Evropës, stadiumi me standarde më të mira, do të përmirësojë si lojën e ekipit, gjithashtu do të bëjë edhe më të rehatshme prezencën e publikut, që do të kenë ulëset e tyre dhe kushte më të mira për të ndjekur një ndeshje.
Realizimi i projektit pritet të fillojë së shpejti, në mënyrë që të përfundojë ideja e kthimit të stadiumit në një objekt me standarde moderne dhe ndërkombëtare.
Skuadra e jonë po vazhdon përgatitjet gjatë kësaj kohe në Dojran, ndërsa pas rikthimit do të vendoset se ku do t’i luajmë ndeshjet në cilësinë e nikoqirit.