Të dielën në stadiumin e Çairit ekipi ynë do të luajë ndeshjen e javës së 29-të, ndërsa pikërisht në këtë përballje do të debutojë trajneri Ernest Gjoka.
Për kundërshtarë përballë do të kemi ekipin e Tikveshit, skuadër kjo që në ndeshjet e fundit ka arritur të tregojë paraqitje të mira. Por në kampin e ekipit tonë të gjithë janë të mendimit se këto pesë ndeshje do të jenë finale të vërteta për të vazhduar garën për titull.
Duelin e radhës e ka komentuar futbollisti ynë Ali Adem, i cili mes tjerash ka potencuar se të gjithë janë të gatshëm të shfrytëzojnë besimin e trajnerit dhe të japin maksimumin për të nxjerrë rezultat pozitiv.
“Jemi duke punuar maksimalisht për duelin e radhës, e kemi parasysh se na kanë mbetur vetëm edhe pesë ndeshje dhe duhet të japim edhe atomin e fundit. Ndeshja kundër Tikveshit e kemi parasysh se do të jetë e vështirë, por ne si Shkupi do ti marrim të gjitha ndeshjet e mbetura për të fituar nga tri pikë. Si unë por edhe të gjithë në ekip mendojmë se mundemi që t’ia arrijmë qëllimit. Tani jemi me trajner të ri i cili ka ardhur me mjaft pozitivitet, të cilin e ka përcjellë edhe tek ekipi dhe besoj se në fund do t’ia arrijmë qëllimit”, ka thënë Adem.
Ndeshja Shkupi – Tikveshi luhet të dielën me fillim nga ora 16:00, ndërsa arbitër kryesor do të jetë Dimitar Pileshkov nga Shtipi.