Kryesia e FC Shkupi sonte kishte organizuar takim me tifo grupin “Shvercerat”, një ditë para ndeshjes së fundit të kampionatit, ku të pranishëm ishin kryetari Ejup Ademi, nënkryetari Suat Alija.
Para të pranishmëve fillimisht foli udhëheqësi i tifo grupit “Shvercart”, Omer Bunjaku i cili mes tjerash përshëndeti të pranishmit duke folur për ndeshjen e fundit që e prek skuadrën të dielën, kundër Makedonija Gj.P.
“Ne besojmë në këtë skuadër se vërtet ka mundësi të jep edhe më shumë nga vetja, edhe pse ata e kanë dëshmuar veten duke nxjerrë rezultate të mira edhe ndaj ekipeve që po luftojnë për titull. Nuk do të kisha dashur që deri në fund të sezonit të flas asgjë më shumë, përveç se nesër të presim fitore dhe kështu ta mbyllim pjesën vjeshtore të kampionatit”, ka thënë Bunjaku.
Më pas fjalën e mori kryetari Ejup Ademi, i cili edhe një herë tha se FC Shkupi është klub i të gjithë shqiptarëve dhe se të gjithë duhet ta ndjejnë si të tyrin.
“Sigurisht se në këtë pjesë të kampionatit kemi pritur ndoshta më shumë, por ja që në disa raste nuk kishim fat për të marrë atë që edhe e meritonim. Sigurisht se e kemi thënë që nga momenti kur jemi futur në Ligë të Parë, se nuk do të jetë lehtë as për ne si kryesi, por as për futbollistët dhe njëjtë edhe për tifozët. Mendoj se bashkërisht duhet të tejkalojmë këtë krizë që besoj se është momentale dhe se nesër u bëjë thirrje të gjithë atyre që e duan klubin me zemër, të jenë në numër sa më të madh në tribuna, për tu dhënë përkrahjen maksimale djelmoshave tanë që po japin gjithçka për rezultate më të mira”, ka thënë kryetari Ademi.
Të përkujtojmë se FC Shkupi nesër me fillim në ora 13:00, në stadiumin e Çairit do të luajë ndeshjen e fundit të sezonit vjeshtor kundër Makedonija Gj.P. /fcshkupi/