Ali Adem vishet bardhekaltër për një vit

Në vazhdën e përforcimeve sa më cilësore, skuadra jonë ka arritur që në kampin bardhekaltër në Antalya të sjellë edhe një futbollist shumë cilësorë, që do të jetë mbështetje për ekipin në synimet e sezonit futbollistik.

Kemi kënaqësinë t’u njoftojmë se skuadra jonë ka arritur marrëveshje me klubin e futbollit Aris të Selanikut që në formë huazimi të sjell lojtarin 20 vjeçar Ali Adem.
Futbollisti shkupjan do të jetë një përforcim i madh në repartin e mesfushës, duke marrë parasysh që luan në të gjitha rolet si mesfushor, mbrojtës, qendror dhe sulmues.

“Padyshim se jam shumë i lumtur që erdha te klubi me traditë shumë të madhe në vendin tonë dhe rajon FC Shkupi. Sigurisht se ardhja ime në këtë klub lidhe edhe me ambiciet, që të ndihmojë skuadrën që të arrijë titullin kampion dhe te kemi sukses ne Evropë.
Shpresoj që do të adaptohem shumë shpejt te kjo familje e madhe, duke marrë parasysh se kam shoqëri shumë të mirë pothuajse me të gjithë, ndërsa nga më herët kam luajtur së bashku në një ekip me Jakup Berishën, Besar Isenin e Matej Cvetanovskin. Uroj që të dalim kampion dhe të kthejmë titullin në Çair që aq gjatë ka munguar”
, ka thënë Adem.

Kujtojmë që futbollisti Adem ishte reprezentues i përhershëm i përfaqësueses së Maqedonisë U19 dhe U21.

Adem tani më disa ditë është bashkuar me ekipin në Antalya dhe nga dita në ditë po arrin që të përputhet në detyrat e marra nga trajneri Hasan Ozer duke u adaptuar edhe në kolektivin që për të nuk është edhe shumë i panjohur.