Skuadra e FC Shkupit ka përfunduar stërvitjen e fundit në prag të ndeshjes së javës së 20-të, ku në Çair do të jetë nikoqire e Pobedës së Prilepit.
Ekipi gjatë gjithë javës ka punuar me intensitet të shtuar dhe është e gatshme për sfidën e nesërme.
Për duelin e radhës ka folur sulmuesi Viktor Angelov, i cili pret që skuadra me lojë të mirë dhe ndihmën e tifozerisë të arkëtojë tri pikët e para në sezonin pranveror.
“Javën që lamë pas kemi luajtur një ndeshje nën mundësitë tona kundër Sileksit, ku në fund ndoshta edhe ishim me fat që morëm një pikë. Na pret tani një ndeshje kundër një kundërshtari mjaft të papërshtatshëm, sikurse është Pobeda. Besoj që nëse luajmë mirë ashtu sikurse dhe dimë dhe së bashku më ndihmën e publikut tonë, do të arrijmë deri te tri pikët e dëshiruara”, ka thënë Angelov.
Skuadra e Shkupit edhe në këtë ndeshje ka tre mungesa, shkaku i problemeve me vizën e punës do të mungojë përsëri Maharafa Tandina, ndërsa në stërvitjen e sotme është ankuar Besar Iseni. Gjithashtu edhe Basilio Ndong ende nuk është riaftësuar plotësisht.
Ndeshja Shkupi – Pobeda luhet të dielën me fillim në orën 14:00 në stadiumin e Çairit, ndërsa drejtësinë do ta ndajë arbitri Josip Barton.