Xhezair Avduli prej dje edhe zyrtarisht është pjesë e FC Shkupit, ndërsa me nënshkrimin e kontratës, ai thotë se ka plotësuar ëndërrën e fëmijërisë.
Bartja e fanellës “bardh e kaltër” për të është një nder i madh, pasi sipas tij fanellën e FC Shkupit e ëndërron çdo futbollistë i ri shkupjan, por edhe më gjërë.
“Jam shumë i lumtur që do të jem pjesë e FC Shkupit. Sinqerisht ka qenë ëndërr e imja e fëmijërisë për të veshur fanellën e kësaj skuadre, simbol për shqiptarët e Shkupit, por lirisht mund të them edhe një ndër skuadrat më të mira në Ballkan. Për mua personalisht ky transferim te FC Shkupi është shumë i rëndësishëm, pasi të luash me këtë fanellë është nder për secilin lojtar” – u shpreh Xhezair Avduli, i cili premton se me këtë fanellë do të jap shumë mund dhe më të mirën nga vetja, me qëllim që të gëzojë armatën e madhe të skuadrës tonë.
“Si një futbollistë i ri në moshë dhe shumë entuziast, premtoj se do të jap më të mirën nga vetja, për të ndihmuar skuadrën vazhdimisht në çdo ndeshje, pasi vetëm në atë mënyrë mund të shpresojmë në rezultate të mira që do i gëzonin edhe tifozët tanë. ‘Shvercerat’ në çdo ndeshje meritojnë të festojnë bashkë me ne vetëm fitore, pasi klubet e mëdha janë të mësuara kështu” – deklaroi Avduli, i cili nesër për herë të parë do ti bashkohet skuadrës së FC Shkupit, në rrugëtimin e tij të ri në karrierën futbollistike.
20-vjeçari Avduli skuadrës tonë iu bashkua nga KF Arsimi, teksa me të njëjtin kemi firmosur kontratë për dy vite e gjysmë.