Tani tri ditë me radhë skuadra e FC Shkupit është duke zhvilluar fazën kryesore të përgatitjeve për sezonin e ri në qytetin e Ohrit, ku trajneri Muharem Bajrami gjithashtu do të ngritë formën e skuadrës edhe për ndeshjen e parë kualifikuese për garat e Ligës së Evropës.
Kujtojmë se dje Shkupi ka zhvilluar ndeshjen e parë pas pauzës së gjatë prej më shumë se pesë muaj, që kur u përhap pandemia e COVID-19, ndërsa për kundërshtarë kishte ekipin e kategorisë së dytë, Ohrid Lihnidos nga Ohri. Ndeshja e fundit zyrtare që FC Shkupi ka zhvilluar, ishte ajo e 11 marsit dhe barazoi 1-1 me Sileksin në Çair.
Për ndeshjen e parë pas pandemisë së koronavirusit, ka folur trajneri 34 vjeçar, Muharem Bajrami.
“Të mos luash asnjë ndeshje për pesë muaj është mjaft keq, jo vetëm për futbollistët por edhe për ne trajnerët. Kjo padyshim se ishte mungesë e madhe për të gjitha ekipet, ndërsa në veçanti për futbollistët. Dje kemi zhvilluar ndeshjen e parë, e cila për në ishte shumë e mirëpritur, ndërsa unë si trajner jam i kënaqur nga angazhimi dhe disiplina të treguan të gjithë futbollistët në fushë. Po shoh se kemi grup të shëndosh, por gjithsesi Shkupi në këtë afat kalimtar do të përforcohet në të gjitha repartet për të arritur objektivat tona”, ka thënë trajneri Bajrami.
Skuadra e FC Shkupit vazhdon qëndrimin në Ohër deri me 1 gusht ku do të zhvillojë edhe tri ndeshje kontrolluese, ndërsa përballja e radhës do të jetë ajo e 22 korrikut, kur do të luajë ndaj ekipit të Renovës.