Ekipi ka barazuar 2:2 në Tetovë përballë KF Renovës në ndeshjen e vlefshme për xhiron e 12-të në Ligën e Parë të Futbollit të Maqedonisë së Veriut. Golat për bardheblutë i realizuan Jurina dhe Jusufi.
Ndeshja nuk nisi mirë për ekipin tonë, kur pas vetëm 6 minuta lojë u ndëshkuam me gol nga Fisnik Zuka, që çoi në epërsi vendasit. Në minutën e 24-t tentuam përmes Muharem Bajrami nga gjuajtja e lirë, mirëpo topi përfundoi skaj portës së Veliut. Në vijim vendasit kishin disa raste për golin e dytë, por Igor Aleksovski nuk lejoi që të tundet rrjeta e tij. Minuta e 41-të solli golin e barazimit, kur Marin Jurina u gjet më së miri në zonën e rreptësisë, duke gjetur rrjetën për 1:1. Deri në fund të pjesës së parë, kishin edhe një rast drejt portës kundërshtare, me Sergion që gjuajti nga distanca, por topi kaloi skaj shtyllës.
Fraksionin e dytë e nisëm më mirë, kur fillimisht në të 46-të ishim në shans për gol me Suhejl Muharemin, me këtë të fundit që nuk arriti të shfrytëzojë rastin, pasi gjuajtja e tij u bllokua nga mbrojtësit kundërshtar. 7-të minuta më vonë, vendasit i shpëton portieri, ku pas një kundërsulmi të bardhebluve, Sergio gjen bukur Muharemin i cili depërton bukur në zonën e kundërshtarëve, por nuk arrin të finalizojë. Ekipi vazhdoi me sulme, ndërsa rastin e radhës e kishte Jurina që tentoi nga distanca, por vetëm mbi portë. Në të 75-të u ndëshkuam për herë të dytë, kur pas një pakujdesie në mbrojtjen tonë, Nenad Mishkovski shfrytëzoi rëvënien nga këndi, duke realizuar për 2:1. Pas pranimit të golit, kishim rast rast për të barazuar rezultatin përmes Dembos, por portieri Veli shpëton vendasit. Ekipi vazhdoi në kërkim të golit të barazimit, ndërsa ai do të vinte në minutat shtesë me Fatjon Jusufin që realizoi me kokë. Deri në fërshëllimën e fundit, Sergio lëshoi rast të qindpërqind kur u gjet i vetëm me portierin Veli, por nuk arriti të realizoi, duke lënë që të mbyllet ndeshja me barazim 2:2.
Ndeshjen e radhës ekipi do ta luaj të mërkurën ndaj FK Sileksit në Kratovë në kuadër të Kupës.