Skuadra ka zhvilluar edhe ndeshjen e tretë dhe të fundit kontrolluese në kuadër të përgatitjeve për sezonin e ri garues 2019/20. Takimi me Makedonija Gjorçe Petrovin i shërbeu trajnerit Umit Karan për të testuar formën aktuale të futbollistëve të tij, ndërsa skuadrat në fund u ndanë me barazim 2:2.
Të parët që shkuan në avantazh ishin mysafirët, pasi realizuan qe në minutën e 2-të me anë të Sefer Eminit. Në vijim tentuam golin përmes Dembos dhe Bajramit, por nuk kishim finalizim. Ndërkohë mysafirët nga Gjorçe Petrovi rritën epërsinë në minutën e 17-të përmes Arbin Vosës. Deri në fund të pjesës së parë regjistruam raste të mira me Ismailin e Dembon, por që rrjeta e kundërshtarëve mbeti e paprekur në 45 minutat e para.
Në fraksionin e dytë e nisëm me sulme dhe kërkim të golit. Fillimisht braziliani Sergio kishte rast të mirë, kur tentoi të mposht portierin nga jashtë zona, por topi shkoi skaj portës. Ndërkohë goli i parë erdhi në të 56-tën, kur Fatih Ismaili u ndal në mënyrë të palejurar në zonën e rreptësisë, ndërsa nga pika e bardhë i saktë ishte Jurina, duke ngushtuar shifrat në 1:2. Në të 76-të kishim rast ideal me Sabit Bilalin, por portieri mysafirëve doli më i suksesshëm, duke i mbrojtur dy gjuajtjet e mesfushorit tonë. Goli i barazimit erdhi pak minuta para fundit, me kapitenin Muharem Bajrami që realizoi nga gjuajtja e lirë për rezultat përfundimtar 2:2.
Kjo ishte ndeshja e tretë dhe e fundit kontrolluese për Shkupin ne këtë fazë, pasi më herët luajtëm me Gostivarin dhe Prishtinën.