Skuadra e FC Shkupit u ndal në barazim 3:3 në terrenin e Pjunikut në Armeni në kuadër të përballjes së parë në Europa Ligë, edhe pse kishte epërsi 3-1 pas një orë lojë. Ky rezultat vë në pozitë të favorshme FC Shkupin për ndeshjen kthyese më 18 korrik në Shkup.
Fillimi nuk ishte i mbarë, pasi që në minutën e 5-të, FC Shkupi ishte në disavantazh. Bilali ndërhyri në mënyrë të palejuar në zonën e rrezikut ndaj Vardanian-it, ndërsa arbitri kryesor Luka nga San Marino pa menduar shumë tregoi në pikën e bardhë. Futbollisti i njëjtë ndaj të cilit u bë ndërhyrja e palejuar, ishte i saktë nga pika e bardhë, duke mundur Tulion për 1:0.
Mirëpo pas golit të pranuar, FC Shkupi kaloi në ofenzivë të plotë dhe kjo u shpagua. Fillimisht nga gjuajtja e lirë, kapiteni Muharem Bajrami barazoi shifrat në 1:1, pasi që askush nuk e preku topin që shkoi në portën e Pjunikut. Ishte një goditje e madhe e FC Shkupit, ndërsa në 2 minuta para përfundimit të pjesës së parë, erdhi edhe goli i dytë në rrjetën e portierit Dragojeviq. Serzhinjo realizoi rivënien nga këndi , ndërsa në zonë më lartë kërceu Darko Ilieski dhe me kokë drejtoi topin në rrjetën e Pjunikut për 1:2.
Në fillim të pjesës së dytë, sulmuesi Jurina kishte rast që të zgjërojë epërsinë, mirëpo portieri vendas ishte në nivel të detyrës. Trajneri Umit Karan në lojë inkuadroi edhe Jusufin që të kontrollojë edhe më shumë mesfushën. Vendasit ishin edhe më shumë nervoz, ndërsa FC Shkupi shfrytëzoi sërisht gjuajtjen e lirë. Përsëri ishte kapiteni Muharem Bajrami që godet nga distanca, ndërsa Dragojeviq nuk reagon mirë dhe topi përfundon në rrjetë për 1:3 në minutën e 60-të.
FC Shkupi kishte mundësi të artë me Artan Veliu që të shënojë edhe golin e katërt, por kësaj radhe reagon mirë portieri vendas. Dhe Pjuniku me disa ndrrime të kryera kaloi në ofenziv të plotë. Fillimisht Vardanian godet me kokë, por topi shkon skaj portës, ndërsa në minutën e 80-të Pjuniku kërkoi penalti. Mirëpo në aksionin e radhës, Zhestokov godet me kokë dhe ul epërsinë në 2:3. Vendasit shfrytëzuan momentin e inspirimit dhe Manuçarian shënoi golin e barazimit në minutën e 85-të. Deri në fund nuk kishte ndryshim të rezultatit, ndërsa FC Shkupi duhej të kënaqet me barazim edhe pse kishte epërsi 2 golëshe pas 60 minutave lojë. Tani skuadra përgatit për ndeshjen kthyese më 18 korrik në Shkup, ku me përkrahjen e “Shvercërëve”, mund të kalojë në raundin tjetër, ku e pret skuadra e Jablonecit.