FC Shkupi dhe Westerlo kanë arritur akordin që në momentet e fundit të afatit kalimtar të janarit, të transferojnë Basilio Ndong në Proximus League (Liga e dytë) e Belgjikës.
Basilio është prezantuar sonte edhe zyrtarisht te skuadra e re, Westerlo me të cilët ka firmos kontratë për tre vite e gjysmë.
FC Shkupi, futbollistët, stafi teknik dhe kryesia e klubit nga zemra falënderojnë Basilion për këto dy vite që ishte pjesë e jona. Si klub kishim privilegjin që ta mësojmë dhe ta udhëzojmë drejt rrugës të suksesit në futboll. Ai erdhi si futbollist i ri në moshën 19 vjeçare nga Guineja Ekuatoriale, ndërsa ishte pjesë e skuadrës “Cano Sport Academy”. Më arritjet që kishte te FC Shkupi ai u bë pjesë e pazëvendësueshme e reprezentacionit të vendlindjes, ndërsa paraqitjet e mira me FC Shkupit në kampionatin vendor dhe Ligën e Evropës, bënë që të ketë interesim të madh nga ekipe të ndryshme për të marrë atë në radhët e veta.
Basilio me Shkupin u bashku që nga 30 janari i vitit 2018, ku tregoi dëshirë për sukses. Përveç talentit të padiskutueshëm që kishte në vete, Ndong dha maksimumin edhe duke punuar në stërvitje me angazhim korrekt dhe të disiplinuar. Përkushtimi i tij për ngjyrat e klubit duhet të jetë shembull për shumë futbollist, ndërsa buzëqeshja e tij ishte e pranishme në çdo moment si me bashkëlojtarët, ashtu edhe me të gjithë kolektivin.
Basilio gjithmonë ishte futbollist emotiv, këtë e tregoi edhe në ditën kur u përshëndet me bashkëlojtarët dhe stafin në Antalia, aty ku edhe e kishte takimin e parë me FC Shkupin në vitin 2018. Ai në largim nga grupi tha: “Faleminderit për gjithçka FC Shkupi, faleminderit të gjithëve”.