Pas fitores së shënuar të enjten ndaj ekipit të Raboptniçkit, Shkupi sot ka përfunduar me përgatitje me stërvitjen e fundit para duelit të së dielës, kur në Çair mysafire do të jetë ekipi i Shkëndijës.
Ndeshja e javës së 30-të, do të jetë me shumë pritshmëri për dy ekipet, pasi skuadra e jonë kërkon të vazhdojë të arkëtojë çdo pikë, për të shtuar epërsinë ndaj ekipeve konkurrente për të siguruar ekzistencën, ndërkohë mysafirët nga Tetova pas fitores ndaj Vardarit kanë shpresojnë që edhe më tej do të mundë të jenë konkurrent për titull, edhe pse kanë 10 pikë diferencë.
Sigurisht se për këtë ndeshje Shkupit i kthehet një nga figurat kryesore të ekipit, mbrojtësi shtatlartë Sedat Berisha, i cili mungoi ndeshjen ndaj Rabotniçkit shkaku i pesë kartonëve të verdhë.
“Sigurisht se për të gjitha ekipet orari është shumë i ngjeshur, duke marrë parasysh se po luajmë nga dy ndeshje brenda një jave, andaj kemi shumë pak kohë për rikuperim. Por para se gjithash më gëzon fakti se ekipi ynë është në formë të mirë dhe kemi marrë rezultate të lakmueshme. Padyshim se Shkëndija ka një ekip të mirë dhe respektuese, por ne nuk do të dorëzohemi në asnjë moment, pasi si në të gjitha ndeshjet, do të kërkojmë të marrim rezultat pozitiv dhe të sigurojmë sa më herët që është e mundur ekzistencën. Edhe pse Shkëndija do të kërkojë pikë për të mbetur në garë me shpresë për titull, mendoj se 10 pikët diferencë janë të mëdha. Pas fitores ndaj Rabotniçkit kemi bërë një hap të madh drejt ekzistencës, ndërsa këtë duhet ta vërtetojmë edhe në ndeshjet që pasojnë”, ka thënë Sedat Berisha, i cili kthehet në ekip pas mungesës për shkak 5 kartonëve të verdhë.
Në ndeshjen ndaj Shkëndijës, ekipi i Shkupit do të ketë disa mungesa, mbetet jashtë fushe mbrojtësi Dimitrija Llazarevski shkaku i lëndimit, Emmanuel Mbella edhe më tej nuk është shëruar, ndërsa në duelin ndaj Rabotniçkit është lënduar edhe Jasir Asani. Për shkak pesë kartonëve të verdhë trajneri Ardian Nuhiu nuk mundë të llogarit as në Muharem Bajramin.