Gjithçka është gati për të filluar një tjetër sezon në kuadër të Ligës së Parë futbollistike të Maqedonisë. Ekipi i FC Shkupit është përgatitur në kushte të mirë, duke ndarë përgatitjet në tri faza, fillimisht ishte nisur grumbullimi në Shkup, më pas u kaluan 10 ditë të tjera në Mavrovë ku u zhvilluan dhe disa ndeshje kontrolluese, që më pas gjithçka të përmbyllet përsëri në Shkup.
Stafi teknik është shprehur i kënaqur nga angazhimi që kanë treguar lojtarët, të cilët kanë treguar gjatë gjithë kohës dhe besojnë se do të kenë një nisje të mbarë në sezonin e ri.
Pikërisht e diela na sjell dhe ndeshjen e parë, kur në stadiumin e Çairit udhëton debutuesi në këtë kategori, KF Akademija Pandev nga Strumica.
Për ndeshjen e të dielës është prononcuar qendërmbrojtësi Sedat Berisha.
“Sa i përket fillimit të sezonit, për mua secili fillim është sfidues dhe njëkohësisht më bën ta pres me entuziazëm. Nga ndeshja e parë pres lojë të mirë dhe korrekte. Ne nuk nënvlerësojmë asnjë ekip, respektojmë edhe ekipin e Akadameija Pandev, por ne do të japim maksimumin dhe shpresojmë ta fillojmë kampionatin e ri me tre pikësh në arkën tonë.
E kemi parasysh se nuk do të jetë aspak e lehtë, mirëpo shpresojmë që të shënojmë sa më herët gol, ndërsa në këtë besoj se do të na ndihmon edhe përkrahja e publikut sikurse edhe në ndeshjet e kaluara, pasi që ata janë lojtari ynë i dymbëdhjetë. Shpresojmë se me këtë grup të lojtarëve që kemi do t’ia dalim, me punë dhe angazhim e jo vetëm me fjalë, pasi secili që do të fillojë nga minuta e parë do të jep maksimumin”, ka thënë Berisha.
Trajneri Ardian Nuhiu ka të gatshëm të gjithë futbollistët për këtë ndeshje, e cila është e para e sezonit 2017/18. Ndeshja FC Shkupi – KF Akademija Pandev luhet të dielën me fillim në orën 17:00 në stadiumin e Çairit në Shkup.