Pas dy javëve pushim, shkaku i ndeshjeve kualifikuese për Euro2020 që kishin reprezentacionet, kampionati vendor rikthehet me ndeshje të enjten, ndërsa skuadra e Shkupit do të jetë nikoqire në Çair, ku do të pret ekipin e Makedonija Gj.P.
Lajm i mirë për ekipin bardheblu është se rikthehet nga lëndimi kapiteni Muharem Bajrami, ndërsa gjithashtu ka kaluar dënimin e pesë kartonëve të verdhë edhe Suhejl Muharemi.
Për ndeshjen në fjalë ka folur mbrojtësi Amir Biliali, i cili ka vlerësuar pauzën dy javore dhe se ekipi ka stërvitur i plotë për ndeshjet në vazhdim.
“Kemi pushuar mjaft pasi nuk ka pasur ndeshje kampionale, mirëpo kjo na ka ndihmuar për tu stërvitur dhe kemi punuar shumë mirë me gjithë futbollistët dhe besoj se jemi gati për ndeshjen e radhës dhe për ato tri të tjera, pasi për 10 ditë kemi 4 ndeshje. Jemi gati për të dhënë më të mirën në fushë.
Nuk mendojmë për asnjë kundërshtarë dhe ne do të futemi në fushë, pasi lozim në shtëpi, do të japim më të mirën për të dal në fund me rezultat pozitiv edhe ashtu besoj do të jetë”, ka thënë Amir Bilali.
Trajneri Umit Karan për ndeshjen e radhës do të ketë të gjithë futbollistët në dispozicion, ndërsa i vetmi që mbetet jashtë ekipit është Ergin Abdul. Në duelin Shkupi – Makedonija Gj.P. drejtësinë do ta ndajë arbitri Josip Barton, përballje kjo që luhet të enjten me fillim në orën 14:30 në stadiumin e Çairit.