Skuadra e FC Shkupi sot ka përfunduar me stërvitjet për ndeshjen e parë të sezonit të ri futbollistik në Ligën e Parë të Maqedonisë, që nesër do ta luajë në Kratovë kundër Sileksit.
Përgatitjet që kishin filluar shumë herët në qershor në qendrën sportive Bollu të Turqisë dhe pjesëmarrja në garat e Ligës së Evropës, kanë bërë që skuadra bardhekaltër shumë herët nga ekipet tjera të fillojë punën për një sezon tjetër të suksesshëm.
Pikërisht edhe ambiciet e ekipit për këtë sezon janë që të arrijë si objektiv daljen në arenën ndërkombëtare.
Trajneri Zekirija Ramadani ka pasur kohë të mjaftueshme që të bëjë përzgjedhjen e tij të lojtarëve, por sigurisht se ka edhe disa mungesa për ndeshjen e parë. Kështu lëndimi edhe më tutje ka ngacmuar Bllagoja Ljamçevskin, ndërsa shkaku i punëve administrative edhe më tutje nuk janë kryer procedurat për futbollistët që së fundmi kanë nënshkruar me Shkupin, si Armel Bradji, Sérgio Antonio De Luiz Junior, ndërsa jashtë ekipit shkaku i dopingut mbetet deri në vendimin final Muarem Muarem.
Për ndeshjen ndaj Sileksit ka folur mbrojtësi Amir Bilalli, i cili mes tjerash premton se ekipi do të jep maksimumin për një fillim të mbarë. “Nesër ishalla ta fillojmë me këmbë të mbarë, ti tregojmë vlerat tona, të tregojmë ekipin tonë, ti tregojmë ambiciet e klubit që i kemi dhe ti kënaqim të gjithë tifozët që na përkrahin, dhe që nesër ishalla me këmbë të mbarë të fillojmë. Ne jemi optimist, edhe pse e dimë se në Kratovë është një fushë e rëndë, por ne do futemi vetëm për rezultat pozitiv”, ka thënë mbrojtësi shkupjan Bilalli.
Ndeshja Sileksi – Shkupi luhet në stadiumin e Kratovës me fillim në ora 17:00.